Nga: KLODIANA LALA

TIRANË- Një bisedë telefonike mes familjarëve të Klement Balilit e përgjuar nga prokuroria shton dyshimet se operacioni për arrestimin e të pagëzuarit me nofkën “Eskobari i Ballkanit”, është dekonspiruar.

Burime të besuara të prokurorisë thanë për “BalkanWeb” se telefonata është kryer në orën 02:00 të mëngjesit të datës 10 dhjetor, në kohën kur forcat speciale kishin në duar urdhër arrestin dhe ishin nisur drejt Sarandës për të vënë në pranga Balilin.

“Alo, thuaj të ikë, po vijnë krushqit”, dëgjohet një prej pjesëtarëve të familjes së Balilit, të informojë të afërmit e tjerë, të cilët nga lokalizimi i telefonit rezulton se në momentet e kryerjes së telefonatës ndodheshin në banesën e tyre.

I paqartë për prokurorinë mbetet fakti se kush e informoi të afërmin e Balilit që policia ishte nisur në drejtim të Sarandës. Dyshimet bien mbi punonjësit e policisë së Sarandës, të cilët mbështetën në operacion forcat speciale që udhëtuan nga Tirana. Për këtë, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme ka çelur një hetim.

Policia gjithashtu vazhdon operacionin masiv për të bërë të mundur kapjen e Balilit dhe gjatë të enjtes janë ushtruar kontrolle në disa ambjente në Sarandë dhe fshatrat përreth, ku dyshohet se mund të fshihet i shumëkërkuari.

Klement Balili, i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”, dyshohet si kreu i një rrjeti trafiku droge nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Ambasadori Donald Lu kritikoi ashpër prokurorinë e policisë se kanë dështuar të çojnë prapa hekurave njeriun për të cilin tha se i ka inkurajuar prej muajsh për ta arrestuar.

Rasti Balili dërgoi në Prokurorinë e Përgjithshme këtë të enjte edhe prokurorin shqiptaro-amerikan Gjon Juncaj. Për më shumë se një orë e dhjetë minuta, prokurori Juncaj, ka biseduar me kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe drejtues të tjerë më të rëndësishëm në prokurori, për çështjen Balili. Në fokus të bisedimeve kanë qenë edhe çështje të tjera, si lufta kundër drogës e korrupsionit, por nuk është lënë jashtë vëmendjes as lirimi i ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Juncaj u largua nga prokuroria e Përgjithshme pa bërë asnjë koment për mediat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb