Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të rënda lidhur me çështjen e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni. Gjatë komunikimit me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha pretendoi se kryeministri Edi Rama e kishte përdorur Hysenin për përgjimin e kundërshtarëve politikë dhe se të dhënat e mbledhura u ishin transmetuar grupeve kriminale.

Ai e lidhi emrin e ish-kreut të SHISH me grupin e Ergys Agasit, ndërsa ngriti akuza edhe për rrjedhjen e sekreteve shtetërore dhe të dhënave nga sistemi TIMS.

“Rama ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të karteleve të drogës dhe kundër interesave të vendit. Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të opozitës shqiptarë, në funksion të survejimit të kundërshtarëve të tij brenda PS. Janë bërë me qindra regjistrime të paligjshme ndaj opozitarëve. Janë transferuar tek kartelet e drogës dhe te armiqtë e Shqipërisë çdo sekret shtetëror, përfshi të dhënat e TIMS-it. Vlora Hyseni shndërroi SHISH në një strofull kriminelësh, delikuentësh dhe shtojcë të organizatave kriminale. “Vlora Hyseni rezulton anëtare e grupit të strukturuar kriminal më të rrezikshëm të Evropës, grupit të Ergys Agasit. Grupi ka përdorur AKSHIN dhe Vlora Hysenin për të regjistruar opozitarët, shërbimet diplomatike në shkelje flagrante të konventës së Vjenës. Regjistrimi i bandave kriminale nga servera të fshehtë, ku ata mendonin se nuk i dinte njeri, nxori në pah se krimi ishte gjigant. Gjuha jonë, shqipja, ishte e dyta e përdorur nga bandat. Jo se anëtarët e bandave të tjera kanë mësuar shqip, por se anëtarëve shqiptarë të bandave u është shtuar numri.”, tha kreu i PD.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: