Situata nga zjarri në Lurë është përkeqësuar ndjeshëm. Prej disa ditësh, forca të shumta po luftojnë me flakët, ndërsa zjarri vijon të përhapet në disa drejtime dhe po afrohet pranë banesave

Një banor rreth 70 vjeç shprehet se nuk e mban mend këtë zonë të përfshirë nga zjarret edhe më parë, por situata aktuale është  shqetësuese.

Temperaturat e larta dhe tymi i dendur kanë pushtuar fshatin, duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje për banorët. Në terren vijojnë të jenë të angazhuara forca të shumta zjarrfikëse, punonjës të bashkisë, të zonave të mbrojtura, Forcat e Armatosura dhe banorë të zonës, ndërsa nga ajri ndërhyrja po kryhet edhe me avion

Flakët po afrohen edhe në drejtim të Kishës së Fushë-Lurës, duke rritur shqetësimin për banesat dhe objektet pranë zonës së përfshirë nga zjarri.

Pavarësisht ndërhyrjes intensive nga toka dhe ajri, terreni i vështirë dhe kushtet atmosferike po e bëjnë të vështirë vënien nën kontroll të flakëve. Të gjitha strukturat e angazhuara në terren vijojnë betejën për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: