Të paktën 41 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në ishullin indonezian të Sumatrës, për shkak të përmbytjeve dhe rrjedhjes së llavës nga shpërthimi i një vullkani aktiv.

Llava e ftohtë, e njohur edhe si lahar, është një përzierje e mbeturinave vullkanike si hiri, rëra dhe guralecët që rrjedhin poshtë shpateve të një vullkani gjatë motit të lagësht.

Imazhet e shpërndara nga agjencia e reagimit ndaj katastrofave të Indonezisë treguan baltën e trashë dhe hirin që mbulonin pjesërisht rrugët dhe fshatrat malore pranë rrëzës së malit Marapi, një vullkan aktiv në Sumatrën perëndimore.
Agjencia tha se 84 shtëpi dhe 16 ura ishin prekur nga rrëshqitjet e tokës vullkanike dhe përmbytje të tjera ishin raportuar në katër rrethe, ku shirat e rrëmbyeshëm përmbytën më shumë se 100 shtëpi dhe ndërtesa.

“Të paktën 41 persona humbën jetën si rezultat i shirave dhe rrëshqitjes së lavës vullkanike”, tha në një deklaratë Abdul Muhari, zyrtar i komunikimit për agjencinë indoneziane të reagimit ndaj katastrofave, duke shtuar se 35 trupa janë identifikuar.

Mali Marapi, 2891 metra i lartë, është një nga vullkanet më aktivë në Indonezi, i vendosur në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, me 127 vullkane aktive, më shumë se kudo tjetër në botë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: