Dy vjet pas tërmetit më vdekjeprurës dhe më shkatërrues në historinë moderne turke (6 shkurt), qindra mijëra njerëz janë ende të zhvendosur, ndërsa shumë të tjerë jetojnë në banesa të përkohshme, pasi përpjekjet e rindërtimit mbeten prapa objektivave fillestarë, njofton Reuters.

Banorët e Antakias, qyteti më i goditur, u mblodhën në orën 4:17 të mëngjesit këtë të enjte me degë dafine dhe pishtarë për të shënuar momentin kur tërmeti me magnitudë 7.8 goditi vendin më 6 shkurt 2023.

Tërmeti dhe pasgoditjet e tij tronditën 11 provinca turke në juglindje dhe pjesë të Sirisë veriore, duke vrarë më shumë se 55,000 njerëz dhe duke plagosur mbi 107,000 të tjerë.

Tërmeti rrënoi qytete të tëra, duke përfshirë shtëpitë, spitalet dhe monumentet historike, veçanërisht në Hatay.
Qeveria turke është zotuar të ndërtojë 650,000 shtëpi, ndërsa Presidenti Tayyip Erdogan premtoi pak javë pas tërmetit se 319,000 shtëpi do të dorëzoheshin brenda një viti.
“Jemi me fat që i kemi dorëzuar 201,431 ndërsa pronarëve të tyre të ligjshëm në më pak se dy vjet pas tërmetit,” tha Erdogan pas një takimi të kabinetit të hënën.

Ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit Murat Kurum tha se 75 miliardë dollarë ishin shpenzuar për rindërtimin në të gjithë rajonin e prekur nga tërmeti.

Fazat kritike të rindërtimit janë kryer, tha ai, duke shtuar se projektet e banimit dhe biznesit po përparojnë me shpejtësi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: