Rindërtohet skena e ngjarjes së armatosur në Elbasan që solli vrasjen e 56-vjeçarit Pjerin Xhuvani dhe plagosjen e 4 personave. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se policia ka mundur të rindërtojë ngjarjen pas pyetjes së disa prej personave të pranishëm gjatë konfliktit.

Ashtu siç u deklarua dhe më herët, 20 minuta para krimit strukturat e PD në Elbasan kanë njoftuar policinë se një mjet pa targa po shpërndante para dhe po blente vota.

Me furgonat me logon e PD i është bllokuar rruga kësaj makine dhe palët kanë qenë në pritje të policisë. Më pas drejtuesi i mjetit pa targa është sharë me fjalë banale me ish-punonjësin e policisë dhe situata precipitoi në përdorimin e armëve të zjarrit.

Gjithçka ka ndodhur pak minuta pasi ka mbërritur policia dhe ngjarja u zhvillua në pak sekonda.
Policja e plagosur Xhensila Sota ka qenë e pozicionuar në krah të rrugës së bashku me dy zëvendës drejtorët dhe dyshohet se është plagosur nga një plumb rikoshet.

Arma e ish-policit Paplekaj është sekuestruar nga policia ndërsa pistoleta tjetër nga e cila dyshohet se është kryer qitje nuk është gjendur dhe nuk dihet nga kush është përdorur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb