Forca të shumta të policisë, repartit Shqiponja dhe FNSH ndodhen në fshatin Cakran në Fier, në vendin ku u gjet lënda narkotike kanabis e mbjellë në kubik dhe ndodhi përplasja me armë.

Gazetari Ervis Kuçi raportoi për “BalkanWeb” se policia po bën krehjen e zonës, ndërsa në terren ndodhen edhe krerët më të lartë të Drejtorisë së Policisë së Fierit.

Fill pas ngjarjes, bëhet me dije se SHÇBA në bashkëpunim me prokurorinë e Fierit po kryejnë hetime për grupin që zhvillonte kontrollin rutinë në territor, i cili zbuloi dhe lëndën narkotike të mbjellë në kubik për të parë edhe dinamikën e ngjarjes.

29-vjeçari nga Patosi Greseld Shpataraku, i cili mbeti i plagosur pas përplasjes me armë aktualisht ndodhet në reanimacionin e spitalit të Fierit nën kujdesin e mjekëve.

NJOFTIMI I POLICISË
Në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, grupi i kontrollit të territorit, i përbërë nga punonjës të Policisë të Komisariatit të Policisë Fier, gjatë kontrollit të territorit, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Gjorgoz të Njësisë Administrative Cakran të bashkisë Fier, ka konstatuar një person që mbante në dorë një armë zjarri kallashnikov.

Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje personit që të hidhte armën dhe mos të lëvizte, por shtetasi ende i paidentifikuar nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe ka drejtuar armën e zjarrit nga punonjësit e Policisë, duke e mbushur atë me qëllim që të qëllonte në drejtim të tyre.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për ta neutralizuar dhe për pasojë shtetasi ka mbetur i plagosur, për momentin jashtë rrezikut për jetën.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi se në afërsi të vendit ku u konstatua shtetasi me armë kishte dhe fidanë cannabis sativa të kultivuar në kubikë.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe arma e zjarrit kallashnikov.

Në drejtim të vendngjarjes ka shkuar grupi hetimor, i cili në bashkëpunim edhe me SHÇBA, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: