TIRANE- Përplasja e paprecedentë mes ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla u komentua edhe në emisionin “Kjo javë” të Nisida Tufës në “News 24”.
Analisti, Ilir Kulla tha në emision se deklarata e Lu, sipas së cilës, Prokurori i Përgjithshëm kishte penguar reformën në drejtësi ishte më shumë si agjitacion dhe propagandë.
“Llalla është zgjedhur nga Kuvendi dhe nëse ambasadori do kishte rezerva për punën e tij mund të shkonte tek presidenti, Kryetari i Kuvendit apo edhe tek komisioni i ligjeve. Deklarata e tij se ka një vit e gjysmë kundër reformës më duket si agjitacion dhe propagandë nga ana e SHBA, kjo është shumë e rëndë. Duket sikur prej një viti e gjysmë kanë monitoruar Llallën”,- tha Kulla.
Kulla mendon se pas gjithë kësaj përplasje, kreu i organit të akuzës nuk ka për të dhënë dorëheqje.
“Ambasadori e ka akuzuar duke i thënë ke çuar vetëm 3 kandidatë për KED, me sa më kujtohet mua edhe zëra të tjerë, institucione të tjera kanë qënë kundër kësaj forme përzgjedhjeje. Ku të gjenden magjistratë me 10 vite eksperiencë? Ata në gjithë Shqipërinë numërohen me gishtat e dorës. Kjo punë duhej menduar para se ta bënin këtë pikë në ligj. Ata mund të shtonin emra të thonin ka qënë filani i përjashtuar, por ambasadori nuk e ka bërë këtë. Prandaj them që nuk mund të akuzojnë një institucion të pavarur, në mënyrë arrogante. Llalla s’ka për të dhënë dorëheqje’,- tha ai.
Duke sqaruar heqjen e vizës, Kulla thotë se ambasada ka bërë shkelje. “Viza diplomatike me rregullore hiqet vetëm në raste të jashtëzakonshme, përfshirje në vepra terroriste, etj. Nëse është shkelje që gruaja e prokurorit ka shkuar të lindë në Amerikë, anulloja vizën bashkëshortes. Pastaj nuk është arsye konsullore. Edhe thua viza i hiqet për çështje konsullore, pastaj që ky prokurori ka bërë edhe këtë, edhe atë. Unë e dëgjova zotin Llalla, tha që njoh institucionet kushtetuese, tha se nuk e njoh për guvernator ambasadorin. Ndërsa ambasadori tha se zoti Llalla ka shkelur Kushtetutën, por në këtë rast ky vend ka një gjykatë Kushtetuese”.
Ndër të tjera, me aq sa kishte dijeni, Kulla hodhi poshtë edhe zërat, që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte “kryeqëzuar” në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
“Tahiri nuk është kryqëzuar, me sa di, ajo ishte një mbledhje e qetë, me frymë bashkëpunimi. Këshilli, nga natyra është institucion kushtetues, ku mblidhen krerët e shtetit, ndahen informacione sekrete dhe tepër sekrete. Ajo mbledhje regjistrohet, filmohet dhe mbetet në arkiv. Qëllimi i mbledhjes është që u mblodhën gjithë këta njerëz për këtë çështje kaq të rëndësishme, si çështja Balili që i ka kaluar kufijtë e Europës dhe po kërkohet nga DEA amerikane”,- tha ai.
(ma.ar/BalkanWeb)
