Në emisionin “Kjo Javë” në News24, eksperti i Sigurisë Ilir Kulla foli për sulmet kibernetike nga Irani. Gjatë bisedës në studio me gazetaren Nisida Tufa, Kulla tha se dëmi është goxha i madh dhe se të dhënat e para personale dolën me patronazhistët.

Po ashtu ai shtoi se sulmi ka ardhur nga brenda dhe se është një aktiviteti i mirëfilltë spiunazhi.

“Ne vetëm kemi neglizhuar, përgjigjet tona kanë filluar kur dëmi ishte bërë dhe nisi me deklaratën e kryeministrit për ndërprerjen e marrëdhënieve. Besoj që nga historia e patronazhistëve, duhet të kishte përgjigje të fortë të institucionit, nuk ka rëndësi kush i përdori.”, u shpreh Kulla.

Pjesë nga biseda në studio:  

A ka gjasë që sulmi të ketë ndodhur nga brenda?

Kulla: Sigurisht sulmi ka ardhur nga brenda. Është aktiviteti i mirëfilltë spiunazhi. AKSHI është vendi ku ne kemi siguruar të dhënat. Dëmi është goxha i madh dhe reagimi historik i opozitës nuk më pëlqen. Bashkë me mazhorancë duhet të shohin mënyrën se si do e zgjidhin këtë çështje.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj?

Kulla: Nuk ishte e vonë, nuk merren vendime në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Besoj që Presidenti ka bërë mirë që në këtë rast ftoi edhe opozitën.

SHISH ku qëndron pas kësaj?

Kulla: Institucionet e Inteligjencës ekzistojnë që të bëjnë një punë që të mos e shohin të tjerët. Ne shqiptarët akoma  nuk e kuptojmë se sa e shenjtë është siguria personale. Harrojnë që kjo gjendje mund të kthehen kundër. Imagjino sikur hakerat të nxjerrin të dhënat e Bankës së Shqipërisë. E imagjinoni dot një ’97 digjitale. Është kërcënim real.

Prokuroria i kërkoi ndihmë juridike edhe Rusisë për hakerat iranianë, a mund të presim ndihmë nga Federata Ruse?

Kulla: Vetë fakti që një gjë e tillë bëhet publike dhe nuk ngelet konfidenciale deri në momentit që të ketë një përgjigje, tregon se sa jo seriozë janë ato që e kanë bërë. Ne për krimet kibernetike nuk kemi sistemuar as legjislacionin. Ky është një hetim që duhet të vazhdojnë dhe institucionet duhet të bëjnë punën e tyre në heshtje. Për këtë duhej krijimi i një Task-Force që merret me këtë punë, duke marrë dhe ekspertë nga perëndimi për të gjetur ku janë hakerat, por kjo gjë duhet bërë në konfidencialitet të plotë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb