SHKODER- Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar pas përplasjes së policisë së rendit me atë bashkiake paraditen e sotme. Shkak për këtë përplasje ka qenë tentative të Partisë Socialiste për të ngritur një tendë pranë bashkisë së qytetit, ky do të zhvillohet një takim i kryeministrit Rama me të rinjtë që votojnë për herë të parë.
Por Bashkia e qytetit kishte organizuar disa aktivitete me rastin e ditës së familjes për 15 majin. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi akuzon kryeministrin Rama se po provokon me tentativën për ngritjen e tendës pranë Bashkisë.
Në një reagim për mediat, Ademi tha se kryeministri Rama lejen për takimin me të rinjtë e ka pranë Prefekturës dhe jo pranë Bashkisë.
“Ndërhyrja e Policisë së Shtetit është e paligjshme. U bë për të mos lejuar zhvillimin e aktivitetit tonë për ditën ndërkombëtare të familjes. Bashkia do ketë aktivitete edhe në orën 17:00-20:00. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama të mos provokojë. Rama lejen për aktivitetin s’e ka në oborrin e Bashkisë, por lejen për aktivitetin e ka pranë Prefekturës”, tha Voltana Ademi.
(el.sp/BalkanWeb)