Ditën e sotme në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” të moderatores dhe autores së emisionit Evis Ahmeti, u trajtua një histori e ndërlikuar familjare, ku dashuria, akuzat dhe beteja për fëmijët përplasen në mënyrën më të fortë të mundshme. Një histori që nisi si një dashuri e guximshme, që sfidoi paragjykimet, diferencat dhe mosmiratimin e familjeve, sot është kthyer në një konflikt të ashpër ligjor dhe emocional. Nga kjo lidhje lindën tre fëmijë, por pas vetëm gjashtë vitesh bashkëjetese, marrëdhënia u kris duke përfunduar në dyert e policisë dhe gjykatës. Katër vite më parë, 41-vjeçari nga një fshat i Lezhës zgjodhi ta bëjë publike historinë e tij pikërisht në këtë studio. Ai tregoi se kishte pranuar të kaluarën e mëparshme të bashkëshortes së tij, në emër të dashurisë që ndiente për të. Por rrëfimi i tij u pasua nga një përballje e fortë mes çiftit, ku akuzat u bënë gjithnjë e më të rënda, nga dhuna në familje, papërgjegjshmëria prindërore, deri te pretendimet tronditëse për përdorim armësh zjarri.

Pas divorcit, gjykata vendosi që tre fëmijët të mbeteshin në kujdestarinë e nënës, ndërsa babai gëzonte të drejtën e takimeve. Por konflikti nuk u mbyll me kaq. Vetëm pak ditë më parë, çështja mori një tjetër kthesë të fortë. Babai i fëmijëve e akuzoi publikisht ish-bashkëshorten për braktisje të tre të miturve dhe largim jashtë territorit të Shqipërisë. Bazuar në këtë kallëzim, Policia e Lezhës nisi procedim penal ndaj 30-vjeçares, duke ia kaluar çështjen Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Por kjo është vetëm njëra anë e historisë. Në një reagim publik, nëna i mohon kategorikisht akuzat për braktisje. Ajo deklaron se ndodhet jashtë vendit për një vizitë të përkohshme 30-ditore, për arsye që lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen e fëmijëve të saj. Sipas saj, fëmijët jetojnë me të dhe familjen e saj dhe ajo nuk i ka lënë asnjëherë pas dore. Më tej, gruaja hedh akuza të forta ndaj ish-bashkëshortit, duke pretenduar se prej 7 vitesh është përballur me përndjekje, shantazh dhe presion të vazhdueshëm psikologjik. Sipas saj, ai nuk ka kontribuar financiarisht në rritjen e fëmijëve që nga dita e ndarjes dhe denoncimet e tij janë të përsëritura dhe sipas pretendimeve të saj, të pavërteta. Në mbështetje të saj ka reaguar edhe motra, e cila thekson se fëmijët janë lënë nën kujdesin e gjyshes dhe se akuzat për braktisje janë të pabaza, duke ngritur shqetësimin për paragjykimin dhe presionin ndaj grave në situata të tilla. Motra e nënës së 3 fëmijëve pohoi për emisionin se ai që pretendon kujdestarinë është ‘pseudobaba’.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb