TIRANE– Me kërkesë të prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjatë ditës së sotme, gjykatësi i Gjykatës së Apelit Shkëlqim Miri është ndaluar nga policia pasi dyshohet për akuzën e “korrupsionit pasiv”. Mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim prej gati një viti ndaj Mirit, ndërsa gjatë kontrollit atij i janë gjetur në banesë 300 milionë lekë të vjetra, që dyshohet të jenë marrë si ryshfet në gjykimin e një vrasjeje të ndodhur në Burrel, në vitin 1997 (me dy viktima). Dyshohet se gjyqtari ka ndryshuar akuzën nga vrasje, në plagosje të rëndë me dashje për autorin Gentian Doda.

Gentian Doda, u ekstradua nga SHBA në vitin 2012 i akuzuar për vrasjen e Gazmir Dedjas dhe Asllan Gjoka, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997. Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima
Në vitin 2010, në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja, i cili u gjet i vdekur në hyrje të pallatit ku banonte. Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vrarë aksidentalisht Asllan Gjoka.

Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale.

NGJARJA
Gentian Doda ëshë banor i qytetit të Burrelit. Më datë 27.10.1997 rreth orës 11. 50 i pandehuri Gentian Doda, pasi ka mbajtur nën vëzhgim viktimën Gazmir Dedja, kur ky i fundit ndodhej përpara lokalit të shtetasit Ramiz Drici, ndërkohë që ishte i pozicionuar tek tuneli i pallatit në qendër të qytetit, e ka qëlluar viktimën me breshëri automatiku duke e plagosur atë, si dhe shtetasin Asllan Gjoka që kalonte rastësisht, të cilët me gjithë ndihmën e shpejtë që u është dhënë, më pas kanë gjetur vdekjen.

Viktima Gazmir Dedja u ka deklaruar të afërmve të tij në spital se autori i ngjarjes ishte Gentian Doda, ndërsa familjarët e viktimës tjetër nuk kanë bërë kallëzim.
Sipas dëshmitarëve i dënuari Gentian Doda, ka qenë i shoqëruar me shokët e tij Fatos Neli e Fale Kola dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja në drejtim të tunelit e më pas ka hipur në makinë duke shkuar drejt stadiumit të qytetit.

GJYKIMI
Shtetasi Gentian Doda është hetuar dhe gjykuar në mungesë, me mbrojtës të caktuar nga familjarët. Ai u dënuar në 2001 me 20 vjet burg në mungesë.
Ai ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni për asnjë vendim ndaj tij, pasi ai nuk ka qenë në Shqipëri dhe të gjithë procedurat janë bërë në mungesën e të gjykuarit, dhe ai ka marrë dijeni vetëm me datë 13.07.2012 kur është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndaj ka kërkuar rigjykim të çështjes në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

EKSTRADIMI
Në fazën e ekzekutimit të vendimit penal të formës së prerë nr.41, datë 26.04.2001 të Gjykatës së rrethit gjyqësor Mat, me kërkesën datë 06.06.2011 të Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Gjykata për Distriktin Qëndror, Kaliforni, SHBA ka shpallur ekstradimin e kërkuesit vetëm për pjesën e dënimit që lidhet me krimin e vrasjes me paramendim dhe nënsekretari i shtetit për çështjet politike më datë 27.06.2012 ka nënshkruar urdhrin që ka autorizuar dorëzimin e kërkuesit nën mbikëqyrjen e Marshallit të SHBA-së për Distriktin qendror të Kalifornisë. Referuar shkresës datë 16.07.2012 të Zyrës Qendrore të Interpol Tirana rezulton se më datë 13.07.2012, ora 23.25 është kryer ekstradimi i kërkuesit Gentian Doda.
Nga aktet e përcjella nga autoritetet gjyqësore të Sh.B.A-së rezulton se Departamenti i Shtetit i është referuar notës së Ambasadës nr.12/049, datë 27.01.2012, me të cilën Ambasada ka transmetuar një garanci, se Gentian Dodës, i garantohet e drejta për rigjykim për shkak të gjykimit të tij në mungesë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb