Nga: QAZIM TEPSHI*
Disa ditë më parë, kur ishte në Ulqin bashkë me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri një deklaratë të urtë, të qartë, të menduar mirë në adresë të BE-së dhe largpamëse për veprimtarinë e saj korrekte e këmbëngulëse për të ardhmen integruese si anëtarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke theksuar qëndrimin dyzues politik të BE, që justifikohet me shprehje teknike për vonesat integruese e kur standardet zgjerohen, sipas klimës politike të disa vendeve anëtare dhe nuk shtrohen të njëllojta për të gjitha vendet e këtij rajoni, ai me të drejtë shtron alternativë se kësi lloj përqasjesh politike jo dashamirëse mund të çojnë në lodhjen dhe në këmbënguljen shqiptare për të siguruar mbijetesën e përparimin ekonomik në bashkim në trojet e veta, si akti mbijetesës se domosdoshme e të sigurisë kombëtare. Ai thjesht tha se: “Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, pasi në fakt janë shqiptarët që jetojnë në dy shtete, shqiptarët dhe nuk flasim për të tjerë, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë, a do të ndodhë në funksion të BE, si një proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë, apo do të ndodhë si një reagim ndaj një verbërie apo të një përtacie europiane… në formën klasike….
Një deklaratë e tillë është brenda normave të njohura ndërkombëtare dhe të kartës së OKB-së dhe të Helsinkit për vetëvendosjen dhe nuk mund ta kundërshtojë askush, sidomos kur ajo nuk bën fjalë për ndryshim kufijsh të shteteve të tjera a të kombeve të tjerë në rajon, por vetëm për bashkimin e dy shteteve ta pavarura shqiptare në trojet e veta të ngushtuara nga vendimi e mospërfillja nga disa shtete të Europës që nxiten luftën ballkanike e Luftën e Parë Botërore. Ky bashkim mendohet në integrimin e tyre në BE, por dhe lihet hapur dhe si opsion në kushte detyruese të caktuara për siguri e mbijetesë kombëtare, duke mos u marrë me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Malin e Zi, Serbi dhe në Greqi. Pra, kjo deklaratë normale nuk nxit as politika ndërhyrëse te shtetet fqinje, as prish fqinjësinë e mirë, as nxit tensione e rrugë për ndryshime kufijsh të shteteve tjera në rajon, as provokon ndonjë shtet paqësor a ndonjë popull të ushqyer me dashuri e respekt për vendet e popujt fqinje, që përpiqet realisht të ndërtojë fqinjësi të mirë, siç thotë e kërkon BE. Gjithçka është thënë në kuadrin e normave të sotme historike dhe të vërtetën e shenjtë për popuj e kombe të qytetëruar në Europë, në SHBA e gjetkë, ku feja nuk e mposht politikën, siç ndodh në disa vende ku kisha ortodokse është kthyer në kishë politike dhe komandon e drejton politikën e vendit e i mban në nënshtrim klasat politike. Kjo deklaratë është normale për të ardhmen e sigurt të kombit shqiptar, që të mos cenohet përsëri nga askush e të mos guxojë më askush të çojë ndërmend se mund të cenojë përsëri kombin shqiptar, kudo që është i shtrirë ai. Kjo deklaratë përmban në themel një mësim të ardhur nga historia se në Europën e sotme duhen bërë përpjekje të mëdha të zgjidhen mosmarrëveshjet, tensionimet, konfliktet dhe situatat e pakëndshme që mund të rrezikojnë paqen në disa vende, sado të vështira qofshin, nëpërmjet dialogut dhe mjeteve diplomatike, pra nëpërmjet mjeteve dhe përpjekjeve paqësore dhe diplomacisë imponuese. Pra, në këtë deklaratë nuk aludohet se do merren territore të shteteve të tjera fqinje edhe pse para 100 vitesh, më shumë se gjysma e territorit dhe e popullsisë iu dha pa asnjë skrupull fqinjëve që gjoja ishin të krishterë dhe shqiptarët i konsideronin si turq…
Politikanët e sotëm të Europës, deputetët, diplomatët, profesorët dhe akademikët, drejtuesit e partive politike dhe të gjithë ata që merren me probleme të BE-së, KE-së, NATO-s dhe marrëdhënieve midis shteteve si dhe drejtues të shtypit e gazetarë të vendeve të Europës, nëse lexojnë disa faqe të historisë të këtyre njëqind viteve të fundit për Rusinë, Europën dhe Ballkanin, (ose së paku të kenë kurajën të lexojnë vetëm librin e prof. Elena Kocaqi me titull: “Planet për zhdukjen e shqiptarëve”, do të kuptojnë se përse më shumë se gjysma e territoreve dhe e popullsisë së shqiptareve u la me forcë jashtë Shqipërisë, që u cungua me mospërfillje, pa asnjë dhembje njerëzore, në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare e të drejtën e kombeve, për t’iu dhënë si dhuratë fqinjëve serbë dhe grekë, të përkrahur nga Rusia, Anglia e Franca etj. Ata shqiptarët i konsideruan turq myslimanë dhe në këtë mënyrë gjoja po copëtonin Perandorinë Otomane myslimane midis të krishterëve ortodoksë, duke mohuar te shqiptarët lashtësinë, kombësinë, etnicitetin, gjuhën e kulturën, katolicizmin e ortodoksinë e tyre dhe duke ia fshehur opinionit të popujve të tyre se shqiptarët ishin kontribuuesit kryesorë të kulturës së sotme të kësaj Europe. U bë pra një bashkim shtetesh, gjoja të krishterë dhe të civilizuar (nuk mund të jetë civilizim të mohosh historinë e lashtë e ta copëtosh një nga kombet më të lashta dhe popullsinë disamilionëshe ta dënosh në genocide e zhdukje për të rritur e favorizuar Serbinë dhe Greqinë e shtete të vogla, që mbijetuan deri në shekullin XIX-XX vetëm në sajë të shqiptarëve që jetonin në territoret e këtyre shteteve me shumicën më domethënëse se serbët, grekët a malazezët), që kërkuan të shkatërronin shqiptarët e historinë e tyre tepër të lashtë. Duke i mohuar ekzistencën, këto tri shtete e ngushtuan në territor dhe popullsi Shqipërinë dhe e lanë për shkak të këmbënguljes së Austrisë, si një lloj eksperimenti, sa për një mbijetesë tepër të zorshme dhe tepër të varfër, që po e vuajmë edhe sot ne.
Kështu, së paku përfaqësues të këtyre vendeve që përmendim dhe të fqinjëve si Serbia e Greqia duhet të heshtin, sepse nuk ia kanë paguar dëmin Shqipërisë për krimin e madh ndaj shqiptarëve e jo më të kenë pretendimin e shtirë të flasin e të bëjnë ndonjë deklaratë akuzuese e nxitëse për tension. Kjo kohë ka perënduar. Po ashtu, nuk mund të flasë as edhe ndonjë deputet i Këshillit të Europës ose Parlamentit të Europës, (kur kanë injorancë historike) por duhet t’u kërkojnë të falur shqiptarëve, që sot për arsyet e sipërpërmendura po bëjnë përpjekje titanike në këtë territor të mbetur të përmirësojnë jetën dhe ekonominë e tyre, të ndërtojnë një shtet të denjë, që nuk nxit urrejtje ndaj popujve fqinjë (edhe pse duhej të ngrinin institucione për një gjë të tillë, siç kanë ngritur disa nga vendet fqinje) dhe është ndihmues e kontribuuesi më i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon e për fqinjësinë e mirë, që dhe këta popuj t’i bashkohen integrimit në BE. Kjo është sakrificë që do mbetet në histori për sakrificat e vuajtjet jo të merituara të shqiptarëve.
Sot paqen e stabilitetin në Ballkan e ruan NATO dhe Shqipëria, asnjë shtet tjetër nuk e bën dot një gjë të tillë, pasi i mungon kultura e standarti mbi të cilat është ndërtuar BE. Nuk mund të mbrojë paqen dhe stabilitetin në rajon asnjë vend i Ballkanit, që edhe sot nëpërmjet kishës politike ortodokse e partive dhe organizimeve të ekstremit të djathtë radikal ushqen e nxit urrejtjen etnike e kombëtare ndaj popullit shqiptar dhe përpiqen t’i hapin rrugë ndërhyrjes së Rusisë në rajonin e Ballkanit, që duhet të integrohet me shpejtësi në BE. Shihni çfarë po ushqehet në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë kundër shqiptarëve dhe çfarë orkestruan në Kumanovë. Serbia menjëherë dërgoi mbi njëmijë xhandarë të armatosur rëndë, se gjoja kishte vendosur të ruante stabilitetin në rajon, sipas Daçiç e Vuçiç. Vetëm qorrat e BE-së nuk shohin dot orkestrimin serbo-sllavo-maqedon për të destabilizuar Kosovën e rajonin me ngjarjen e krijuar nga ata në Kumanovë. Ky është provokim i rëndë kundër shqiptarëve, që e mbajnë në këmbë akoma këtë lloj republike. Nuk mund të ndodhë që për disa orë të shkatërrohet e rrënohet një lagje e tërë e shqiptarëve dhe çdo gjë u mbajt në terr, gjë që flet për një krim të madh të orkestruar. Ndaj, Sekretari i Përgjithshëm NATO-s dhe ai i OKB-së kërkuan me urgjencë hetimin e qartë e të shpejtë të ngjarjes, pasi veprimet e policisë e ushtrisë së Shkupit janë tepër të dyshimta.
Sot, disa presidentë flasin për “genocidin” gjoja turk ndaj armenëve dhe nuk kanë kurajë e nuk duan të flasin për genocidin më të madh të parë në historinë e njerëzimit ndaj trojeve dhe kombit shqiptar. Armenëve nuk iu cungua territori, ishte luftë civile e luftë e Rusisë e Anglisë për shkatërrimin e Perandorisë Osmane dhe armenët u bashkuan me rusët e anglezet (që thirrën nën armë nga komonuelthi i tyre, rezultat i pushtimeve) kundër turqve, ndërsa shqiptarëve iu cunguan territoret e popullsia e tyre dhe askush nuk kërkon falje, se ishte genocid i madh ndaj shqiptarëve, ashtu si ndaj hebrenjve. Vështirë të ndodhë kjo, pasi deri vonë këto shtete kanë punuar kundër Shqipërisë. Deri në vitin 1942, Anglia ngarkonte profesorë të Oksfordit dhe institutin mbretëror të paraqisnin plane për copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë, studime që nuk bazoheshin as te kombësia, as tek etniciteti. Çlirimi i Shqipërisë i dha fund kësaj përpjekjeje, por edhe ndihma e SHBA-ve, që sot me të drejtë konsiderohen si aleati i madh i shqiptarëve, siç janë dhe gjermanët dhe austriakët. Shqipëria u dha fund dy standarteve të atëhershme dhe nuk lejon e nuk ka për të lejuar që dhe sot të vijojnë dy standardet… Nuk mund të vazhdohet me dy standarde, siç po bëhet deri më sot dhe kjo e detyroi të flasë hapur Kryeministrin shqiptar që kjo lloj Europe me këta lloj politikanësh të mos përdorin më dy standarde dhe të mos e vonojnë integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në BE. Krijimi i ngjarjes në Kumanovë këto ditë është rezultat edhe i këtyre dy standarteve ndaj republikave të afërta e të mbështetura nga Rusia, edhe i mungesës së kohezionit të brendshëm të BE-së, i dobësimit të lidhjeve me SHBA-të, i mungesës së pakuptimtë të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga pesë shtete anëtare të BE-së, i hapjes rrugë prezencës ekonomike dhe ushtarake të Rusisë në rajon edhe pse ajo rrezikon të nxisë rreziqe lufte në këtë rajon si në Ukrainë.
Deklarata e sipërpërmendur e Kryeministrit shqiptar u bën jehonë këtyre qëndrimeve dhe shpreh shqetësim për vonesat për integrimin e rajonit, por edhe të shqiptarëve në BE. Nuk bëhen lojëra e kërcënime në deklaratë, se po nuk na pranove siç jemi: duke mos njohur shtete tjera, duke mos punuar për fqinjësi të mirë, paqe e stabilitet të rajonit e duke mos dënuar Rusinë për agresionin në Ukrainë, do afrohemi me Rusinë, siç lozin hapur në Beograd, Shkup e gjetkë në rajon. Deklarata është insistuese për integrimin e rajonit në BE, integrimin e Shqipërisë e Kosovës në BE, është insistuese për fqinjësinë e mirë, paqen, stabilitetin, bashkëpunimin e progresin ekonomik të të gjitha popujve të rajonit e bashkëpunimin e ngushtë të tyre me BE-në. Edhe kur thekson bashkimin e dy shteteve të pavarura në territoret e tyre të lashta kombëtare, me të njëjtën gjuhë, kulturë, psikologji, ndërgjegje, si themelore jep bashkimin në BE dhe kjo është normale dhe e pritshme, që as nuk mund të mohohet dhe as nuk mund të pengohet. Askush nuk mund ta pengojë Shqipërinë dhe Kosovën të kenë të përbashkët arsimin, kulturën, ekonominë, shërbimet shoqërore e të sigurisë, institucionet, qëndrimet politike, politikën e jashtme, të kenë të njëjtën përgjegjësi në angazhimet e marra, traktatet e marrëveshjet e nënshkruara, krijimin e besueshmërisë me fqinjët, komunitetin ndërkombëtar dhe institucionet ndërkombëtare, etj. Askush nuk mund t’i pengojë dy shtetet të bëjnë financime e investime të përbashkëta për të zgjeruar kështu forcën ekonomike, përmirësimin më të shpejtë të nivelit ekonomik jetësor për qytetarët e tyre, për të zgjeruar tregun për prodhim më të madh e për krijuar lehtësi më të mëdha për kompanitë e mëdha ndërkombëtare. Gjithçka do zhvillohet në përputhje me normat ndërkombëtare e standardet e BE-së. Janë dy shembuj mjaft tregues për këtë rrugë: Kompanitë e korporatat e mëdha ndërkombëtare, por edhe bashkimi i dy Gjermanive. Askush nuk i pengon kompanitë e korporatat të shtrihen në disa shtete; qendrën e kanë në Uashington, Tokio, Bruksel, etj., por degët në shumë vende të botës, pasi respektojnë normat ndërkombëtare për ekonominë e tregtinë. Kështu, si fazë kalimtare ndodh midis dy shteteve me të njëjtin vullnet.
(vijon në numrin e nesërm të Gazetës Shqiptare)

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: