Zbulohet arsyeja se përse gjykata e Lartë në Greqi refuzoi kërkesën për ekstradimin në Shqipëri të Bledar Jambellit dhe Kristaq Lecit, të akuzuar si urdhërues të vrasjes së kryekomisar Artan Cukut, në hyrje të pallatit të tij në “Rrugën e Kosovarëve” në Tiranë.

Burime të besuara pranë Ministrisë së Drejtësisë thanë për News24 se gjatë kohës që shqyrtohej kërkesa, dy të shumëkërkuarit morën shtetësinë greke, çka sipas ligjit është kriter ndalues për ekstradimin. Në kushtet e mungesës së një marrëveshje që Greqia të ekstradonte shtetasit e saj, Gjykata e Lartë refuzoi që të akuzuarit për vrasjen e ish-drejtorit të policisë së Vlorës të liroheshin.

Dosja penale ndaj Bledar Jambellit dhe Kristaq Lecit po shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës dhe nëse shpallen fajtor, atëherë autoritetet shqiptare mund ti kërkojnë Greqisë të njohë vendimin penal ndaj tyre dhe ta vuajnë atje dënimin. Por, kjo mund të ndodhë, vetëm pasi të ketë një verdikt fajësie dhe kur ai të marrë formë të prerë.

Procesi gjyqësor për ta është në fillimet e veta, përderisa qëndroi i pezulluar për një vit edhe për shkak të situatës së pandemisë. Beldar Jambelli dyshohet se urdhëroi vrasjen e Cukut, pasi në kohën, që ky i fundit ishte drejtues i policisë së Vlorës e arrestoi nën dyshimet për vrasje.

Mikel Shallari që e qëlloi për vdekje kryekomisarin tha se Jambelli i premtoi shumën prej 20 mijë eurosh për ta ekzekutuar zyrtarin e policisë. Shallari që mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë u dënua me vetëm 10 vite burg, ndërsa dy të pandehurit e tjerë rrezikojnë burgim të përjetshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb