VORE- Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, peruroi zyrën e re të punës në Vorë.

Në këtë bashki të re kanë qenë të shumta kërkesat e punëkërkuesve dhe biznesit për të patur më afër shërbimin e pikëtakimit mes kërkesës dhe ofertës.

Për ministrin Klosi, të 61 bashkitë në vend, do të jenë të pajisura me zyra pune brenda 2016. Sipas tij, po punohet me intensitet për shtrirjen e këtij shërbimi në të gjithë territorin e vendit.

Në lidhje me arsimin profesional, ministri vuri në dukje se do të kalojë nën menaxhimin e Shërbimit Kombëtar të Punës, për të mundësuar pikërisht lidhjen më të mirë mes kërkesës së biznesit për kualifikime të caktuara.

“Asnjë kurs nuk do të hapet nëse nuk kërkohet apo porositet nga bisnesi”, deklaroi Klosi.

Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, nga ana e tij u shpreh se “me hapjen e zyrës së punësimit në Vorë, plotësohet me zyra pune qarku i Tiranës, duke i bërë një shërbim të madh komunitetit për këshillim, informim dhe akses më të madh për punëzënien”.

Ndërsa Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punës, Artur Micko, tha se “janë 37 mijë banorë në këtë zonë, me mbi 500 biznese. Me perurimin e kësaj zyre, nis faza e dytë e shtrirjes së zyrave të punësimit në bashkitë e vogla, pas përfundimit së fazës së parë të hapjes së tyre në bashkitë qëndër qarqesh”.

Përfaqësuesi i Biznes Albania, Luan Bregasi, deklaroi se zyrat e punës në këto tre vjet kanë qenë një ndihmesë e madhe për sipërmarrjen, duke u ardhur në ndihmë për të identifikuar punonjësit që i përshtaten biznesit të tyre./ATA/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: