Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi,  ka vlerësuar sot Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, me rastin e 142 vjetorit të themelimit.

Ruçi shprehet se Lidhja e Prizrenit ishte një model patriotizmi, shtet-formimi dhe kohezioni kombëtar.

Fjala e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi:

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbajtur më 10 qershor më 1878 ishte e para organizatë politike mbarëshqiptare, me një platformë ideologjike, program politik, strukturë organizative në të gjitha trojet shqiptare, ushtri dhe aksione kulturore.

Lidhja ishte një betejë trevjeçare që luftoi për triadën çlirim, shtetformim mbi bazën e kombit dhe tërësi territoriale të atdheut të shqiptarëve. Lidhja ishte pjesë e kontekstit të luftrave çlirimtare në Evropë dhe Ballkan.

Lidhja u ngrit mbi dallimet klasore, fetare e krahinore dhe u bë promotore e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi politiko-administrative, mbështetur në parimin e kombësisë dhe tërësisë territoriale.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte sipari i luftrave  për pavarësi, frymëzoi idenë e lirisë dhe krijoi modelin e  organizimit politik e ushtarak për të çliruar vendin.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një model patriotizmi, shteformimi dhe kohezioni kombëtar për shqiptarët, jo vetëm gjatë luftrave çlirimtare, por edhe në ditët e sotme.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, me rastin e 142 vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb