Në pjesën e dytë të programit “Dola te Ola” këtë të diel ishin të ftuar pianistët Aldi Areza dhe partnerja e tij Kledia Toshi. Aldi prej 3 sezonesh është pjesë e programit “Dola te Ola” dhe ishte shumë bukur që ai, sikurse të ftuarit e programit, të ulej në poltronin e verdhë.

Aldi dhe Kledia janë njohur gjatë studimeve në Akademinë e Arteve dhe pas rreth 4 viteve miqësi ata u bënë çift, dhe prej asaj kohe vijojnë të shijojnë romancën e tyre. “E dija që Aldi kishte ndenja ndaj meje. Tek ai gjeja qetësinë.. Por isha unë që i thashë të dua e para, pasi ai e kishte lënë të kuptuar prej kohësh”, tregoi Kledia.

Ata kanë fatin që të ndajnë të njëjtin profesion dhe në këtë mënyrë i kuptojnë edhe më mirë vështirësitë me të cilat përballen në përditshmëri. Ata treguan se ditët e tyre janë të mbushura me shumë punë dhe angazhime, ndërkohë që kohën e lirë e shfrytëzojnë për ndonjë udhëtim për t’u qetësuar dhe për të rimarrë energjitë.

Aldi Areza, ka lindur dhe është rritur në qytetin e Korçës, ku ka kryer studimet për piano në shkollën “Tefta Tashko Koço” për 12 vite dhe më pas konfirmohet si student në Akademinë e Arteve në klasën e pianistes së mirënjohur mbarëkombëtare Margarita Kristidhi Milkani. Ka qenë pjesëmarrës në shumë koncerte me emra të mirënjohur të artit në Shqipëri dhe jo vetëm. Aktualisht është pedagog në Liceun Artistik dhe ushtron aktivitet koncertal si pianist, drejtues muzikor dhe inxhinier audio, si dhe orkestrues e kompozitor në studion e tij profesionale.

Ndërkohë Kledia Toshi ka lindur dhe është rritur në qytetin e Shkodrës. Ajo nisi studimet e para për piano në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Shkodër dhe në moshën 18-vjeçare bëhet pjesë e klasës së pedagoges Anita Tartari në Akademinë e Arteve. Eksperienca e saj artistike shtrihet në fushën pedagogjike dhe koncertale nga shkolla 9-vjeçare “Servete Maçi”, “Liceu Artistik”, “Jordan Misja” e deri në TKOB.
Prej disa vitesh është pianiste pranë Liceut Artistik, dhe tanimë pianiste e korit të Universitetit të Arteve, nën drejtimin e dirigjentes Suzana Turku. Gjithashtu ushtron aktivitetin privat të mësimdhënies për fëmijë dhe të rritur në studion e saj personale.

Një moment i bukur në studio ishte kur u shfaq një videomesazh surprizë për Aldin nga moderatorja Ola Bruko dhe vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, të cilët me shumë dashuri i dedikuan atij disa fjalë zemre dhe vlerësime për bashkëpunimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb