Mediat në Itali i kanë kushtuar vëmendje arrestimit të kosovarit që terrorizoi Vlorën dy ditë më parë, duke tentuar të merrte peng disa persona teksa thërriste “Allahu Akbar”, “Jam i dërguar i Allahut” dhe “Do t’ju vras të gjithëve”.

Mediat në shtetin fqinj kanë ngritur pikëpyetje rreth sulmit të kosovarit Dijar Xhema, duke hedhur dyshime se mund të ndodhemi përballë një xhihadisti ‘ujk vetmitar’, person që vepron i vetëm, i inspiruar nga ISIS.

Gazeta ‘Il giornale’ shkruan: “Dinamika e fakteve dhe objektivi real i agresorit mbeten ende të paqarta: Dijar Xhema donte të kryente pengmarrje? Me çfarë qëllimi? A sulmoi apo plagosi dikë me thikën e tij? Cfarë kërcënimesh u ka bërë kalimtarëve? A ndodhmi përballë rastit të një krimineli, apo përballë dikujt që ka lidhje me xhihadistët. A ka patur kosovari ndonjë kontakt me radikalë islamikë? Në profilin e tij në ‘Facebook’ nuk është gjetur asnjë element që mund të çojë në dyshime për lidhjet e tij me xhihadistët. Të gjitha këto pyetje kërkojnë përgjigje, pasi mund të gjendemi përballë sulmit të dështuar të një ‘Ujku vetmitar’ xhihadist në Shqipëri”.

ARRESTIMI I KOSOVARIT NE VLORE
Policia e Vlorës arrestoi dy ditë më parë një shtetas kosovar, i cili ka terrorizuar Vlorën, pasi tentoi të rrëmbente tre persona, në vende të ndryshme të qytetit, duke thirrur “Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut”, dhe “Do ju vras të gjithëve”.
Sipas policisë së Vlorës, në pranga ka rënë 29-vjeçari Dijar Xhema lindur e banues në Mitrovicë, Kosovë. Mësohet se 29-vjeçari ka dhunuar fizikisht, psikologjikisht dhe ka tentuar të rrëmbejë me mjetin e tij ‘Audi’ me targa KS02300CO, tre shtetas me inicialet: B.N, N.I, dhe F. D. në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës, brenda një harku kohor prej 2 orësh.
Sipas policisë, “nisur nga veprimet e kryera, informacionet e dhëna nga qytetarë dhe reagimi në kohë rekord i strukturave të policisë u lokalizua dhe u neutralizua autori i dyshuar i këtyre akteve duke bërë kështu parandalimin e disa ngjarjeve të rënda kriminale me pasoja dhe impakt në publik. Theksojmë se ky shtetas si gjatë arrestimit dhe në ambientet e shoqërimit ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë”.
“Gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva. Nisur sa më lart: shtetasi Dijar Xhema ka dyshime të bazuara dhe arsyeshme, se me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konsumuar elementet e veprave penale: “Vepra me qëllime terroriste”; “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”; “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, (të mbetura në tentativë); “Prodhim dhe shitje narkotikeve”, të parashikuara nga nenet 230 gërma a dhe g , 232/a, 265, 283 e 22 të Kodit Penal.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas uniformave blu, “ky person paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore pasi në Kosovë është i evidentuar si person me precedent kriminal për tendencën e vrasjes, rrëmbim, dhunim personi, dhunim i punonjësve të organeve ligjzbatuese, mbajtje dhe përdorim pa leje të armëve të zjarrit.
Materialet iu kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Mësohet se 29-vjeçari nga Kosova kishte hyrë në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Morinës, me automjetin tip Audi, bashkë me familjen e tij.
Fillimisht ai ka qëndruar në Durrës me familjen dhe më pas humbi kontaktet për dy ditë me familjarët e tij, të cilët vijojnë të jenë në Durrës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: