Një vit pas vizitës së Papa Françeskut në Trieste, kanë dalë në pah detaje shqetësuese për një komplot terrorist të dyshuar ndaj tij.

Autoritetet italiane, në bashkëpunim me Interpolin dhe inteligjencën holandeze, arrestuan Hasan Uzun, një shtetas turk me lidhje me ISIS-in. Ai u kap në Holandë dhe u ekstradua në Itali, ku po mbahet në izolim në burgun e Triestes. Hetimet zbuluan se Uzun la një pistoletë automatike CZ 7B, 9 mm, me 14 fishekë në një karrocë të braktisur në stacionin e trenit në Trieste.

Pamjet e kamerave të sigurisë e regjistruan duke lënë armën dhe duke u shfaqur i veshur me një bluzë të zezë. Pas këtij akti, ai bleu një kartë SIM të re italiane dhe u nis me tren drejt Milanos. Më pas tentoi të kalojë në Zvicër, por u kthye për shkak të dokumenteve të pavlefshme. Hetuesit po punojnë për të zbuluar nëse Uzun kishte bashkëpunëtorë në një rrjet terrorist që vepron në Evropë.

Rasti u bë alarm për shërbimet e sigurisë në prag të vizitës së Papës. Gjatë vizitës së tij më 7 korrik 2024, Papa Françesku nuk bëri asnjë koment lidhur me kërcënimin e mundshëm. Ai foli para mijëra besimtarëve për rëndësinë e besimit të patrazuar. Në fjalimin e tij, paralajmëroi kundër konsumizmit dhe indiferencës, duke i quajtur ato “kancere të demokracisë”.

Hetimi vazhdon për të zbuluar çdo lidhje dhe për të sqaruar rreziqet e mundshme. Autoritetet po mbajnë vigjilencë të lartë për çdo kërcënim të ardhshëm.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb