Deputeti demokrat, Luçiano Boçi ka komentuar procesin e zgjedhjeve për kreun e PD-së, duke e cilësuar pjesëmarrjen e demokratëve si të lartë dhe duke theksuar se edhe një referendum mbetet një formë zgjedhjeje politike.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Boçi u shpreh se Partia Demokratike nuk ka luksin të futet në përçarje të reja, ndërsa apeloi që debatet dhe problemet e brendshme të lihen pas, me qëllim bashkimin e demokratëve përballë sfidave politike.

Sipas tij, votim është një proces unifikues dhe thelbësor për shëndetin e demokracisë së brendshme.

“Procesi është i qetë, transparent. Pjesëmarrja është e madhe nga të gjitha raportimet që kemi marrë edhe nga qarqet. Ka besim, ka shpresë, ka mbështetje dhe qartazi PD-ja ndërton rrugën e saj të suksesit duke nisur nga sot. Në fakt dhe referendumi është zgjedhje. E kam thënë, kjo është shumë e mirë. PD-ja nuk ka luksin të hyjë në debate, në ndarje, në përçarje, të cilat kemi kohë që i kemi përjetuar, duam t’i lëmë pas.

Proceset unifikuese janë më të mirat dhe më të shëndetshmet për demokracinë e brendshme brenda një partie që ka qenë target i sulmeve të shumëfishta, të shumanshme. Dhe unë mendoj që kjo tregon një pjekuri dhe ndërgjegje të lartë të demokratëve për të shmangur të gjitha këto gjëra.

Sigurisht çdo gjë ka pjesën e vet apo secili ka atë interpretimin e vet. Por sot jemi në një proces unifikimi, i cili dëshmohet, së pari edhe mbështetje, së pari edhe në proces. Procesi është demokratik sepse këtu është rëndësia e një procesi, pastaj pasja e rivalëve apo jo janë kushte statutore, janë kushte procesi, dhe procesi ka qenë i hapur. Ky ishte definimi, përfundimi, ky është dhe vullneti i demokratëve në fund fare”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb