Një 19-vjeçar u arrestua në Lushnjë, pasi dyshohet se ka plagosur me mjet prerës (thikë) një 26-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta.

Shërbimet e Policia e Shtetit, konkretisht të Komisariatit të Policisë Lushnjë, kanë ndërhyrë menjëherë pas njoftimit se i plagosuri, shtetasi E. Ç., 26 vjeç, ishte paraqitur për ndihmë mjekësore në spital. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, brenda pak orësh është identifikuar, kapur dhe arrestuar autori i dyshuar, shtetasi D. H., 19 vjeç, banues në fshatin Stan Karbunarë.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se konflikti mes dy shtetasve ka nisur për motive të dobëta dhe ka përfunduar me plagosjen e 26-vjeçarit, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit në banesën e 19-vjeçarit, policia ka gjetur dhe sekuestruar 48 160 euro dhe 7 200 dollarë të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se do të hidheshin në qarkullim.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për hetimin e krimeve kundër personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë arrestuar 19-vjeçarin për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Falsifikimi i monedhave”. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: