Zbardhet dinamika e plagosjes së 27-vjeçarit Tauland Beqiri, në një dhomë hoteli në Ksamil nga miku i tij. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 13 gushtit.

Gazetarja Shpresa Dine ka siguruar për ‘BalkanWeb’ dëshminë e autorit të plagosjes 28-vjeçari Eidson Vyzaj. Në dosjen hetimore shkruhet se autori ka pohuar se plagosja ndodhi nga pakujdesia dhe se nuk kishte në plan ta lëndonte shokun e tij të ngushtë. Vyzaj rezultonte me precedent të mëparshëm penal, pasi në Itali ishte kapur duke vjedhur me armë nëpër vila si dhe me lëndë narkotike. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, në prani të mbrojtësit, i dyshuari Edsison Vyzaj, ka sqaruar se, ka ardhur në Ksamil për pushime së bashku me shokun, Tauland Beqirin, si dhe disa shokë të tjerë emrat e të cilëve nuk i kujtohen. Gjithashtu, me të ka ardhur edhe një shtetas nga Sri Lanka i cili quhet Perera. Në datë 13 gusht thuhet se ata kishin dalë nga dhoma, rreth orës 10:00 dhe kanë shkuar në plazh ku kanë qëndruar deri rreth orës 20:00 dhe më pas janë kthyer në hotelin ku kishin zënë dhomën. Në dhomë me të ka qenë edhe Taulandi dhe shtetasi i huaj, Perera.

I riu ka sqaruar se kur u kthyen nga plazhi, Taulandi ka shkuar i pari në dhomë, ndërsa ai vetë me disa shokë po rrinin në parkingun e hotelit. Pas pak minutash ka hipur në dhomë dhe sa ka hapur derën, ka parë Taulandin i cili kishte në dorë një armë zjarri – pistoletë të markës Glock të cilën e kishte lënë në dhomë. Menjëherë ka tentuar t’ia heqë nga dora dhe në momentin që ia ka marrë armën, ajo ka shkrepur. Në atë moment, Taulandi i kishte thënë; ‘Çfarë po bënte’, por i dyshuari pa e kuptuar vazhdonte t’i bërtiste se pse lozte me armën. Në një moment i ka ngritur bluzën Taulandit për ta parë për merak dhe aty ka kuptuar që e kishte plagosur. Ai tregoi se kishte marrë Taulandin për krahu dhe e kishte zbritur poshtë duke kërkuar ndihmën e personave që ishin në parkingun e lokalit dhe duke u thënë që të njoftonin ambulancën. Duke qenë se ambulanca po vonohej, me sa mban mend, e kanë hipur në një makinë dhe e kanë nisur drejt spitalit. Ai sqaroi se në kushte të tronditjes së madhe, pistoletën ia kishte dhënë shokut të tij, Pererës dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas me armën. Në këtë moment, atje ka shkuar policia dhe e kanë shoqëruar në Komisariat. Në lidhje me armën e zjarrit, i dyshuari sqaron se e ka marrë nga Shkodra. Në përfundim, ai ka sqaruar se me shtetasin Tauland Beqiri nuk kishte asnjë konflikt, përkundrazi, deklaroi se e kishte shumë shok.

Lidhur me ngjarjen i është marrë deklarim fillimisht me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale edhe shtetasit nga Sri Lanka, Makawitege Perera. Ky i fundit deklaroi se ishte nisur nga Verona e Italisë për në Shqipëri me shokun e tij. Ditën e ngjarjes, ka shkuar në plazh me shokët e tij dhe pasdite kanë hyrë në dhomë. Ai tregoi se teksa po bënte dush ka dëgjuar një krismë dhe kur ka dalë nga banja nuk ka parë asnjë person në dhomë.

Pasi kishte zbritur poshtë kishte parë dy shokët e tij kishin diçka dhe në një moment autori i dyshuar i ngjarjes, Edisoni i kishte thënë: “Shko merr armën në dhomë dhe ik”. Sipas tij, ka shkuar në dhomë ku ka marrë armën dhe prej andej ka shkuar në parkimin e hotelit aty ku ishte një lulishte dhe ka hedhur pistoletën. Më pas ka hedhur gëzhojën, të cilat sqaron se i mori te dhoma dhe ka ikur. Por, gjatë pyetjes me cilësinë e personit nën hetim, shtetasi. Perera nuk ka dhënë shpjegime, duke deklaruar se do t’i jepte në një moment tjetër. Gjykata ka lënë në arrest me burg Edison Vyzaj dhe shtetasin nga Sri Lanka, ndërkohë për të plagosurin Tauland Beqiri ka caktuar masën ‘arrest shtëpie’.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb