TIRANË

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e sotme, ku mbeti i plagosur kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe. Ai shkruan se “Paçka se rrethanat e ngjarjes mbeten për t’u sqaruar, guximi i krimit për të mësyrë në zyrat e Bashkisë, përdorimi i lëndëve luftarake si granata, mbetet prova më e fortë e dështimit të Shtetit”-shkruan ai.

Postimi i Dukës:

Atentati ndaj kreut të bashkisë së Lushnjes, në këtë kapërcyell vitesh, na kujton edhe njëherë situatën reale në të cilën ndodhet vendi. Paçka se rrethanat e ngjarjes mbeten për t’u sqaruar, guximi i krimit për të mësyrë në zyrat e Bashkisë, përdorimi i lëndëve luftarake si granata, mbetet prova më e fortë e dështimit të Shtetit. Një produkt i qartë i simbiozës së politikës me krimin, që në disa qytete të vendit është autoriteti i vetëm që kontrollon territorin. Nuk ka përgjigje të lehta për zgjidhjen e kësaj nyje që prej vitesh po mbyt shoqërinë tonë, megjithatë ndëshkimi i modeleve të propozuara nga Rilindja dhe të denoncuara nga Opozita dhe mediat, vendase dhe të huaja, mund të jetë fillimi i fundit. Duke uruar shërim sa më të shpejtë të të plagosurve, bëj apel për një hetim dhe ndëshkim shembullor të ekzekutorëve nga ana e institucioneve të reja të drejtësisë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb