Gjykata e Sarandës ka liruar dy të dyshuarit për plagosjen e ndodhur në një hotel në Ksamil, në gusht të këtij viti.

Gazetarja, Shpresa Dine tha për “BalkanWeb” se 28-vjeçari Edison Vyzaj dhe 24-vjeçari nga Sri Lanka, Makawitage Kalpa Chethiya Eishvajith Perera Ejiewrdana janë lënë të lirë me vendim të Gjykatësit, Fatmir Ndreu.

Prokurori Ilir Hoxha deklaroi se ekzistojnë kushtet për zbutjen e masës së sigurimit ndaj personave nën hetim, duke pranuar masën e sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të kërkuar për shtetasin Makawitage Perera si dhe duke e lënë vendimmarrjen finale për të dyshuarin tjetër Edison Vyzaj në vlerësim të gjykatës.

Por, Gjykatesi Fatmir Ndreu në përfundim të seancës ka vendosur lirimin nga qelia të dy të dyshuarve, duke u dhënë masën e sigurisë “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore dy herë në muaj, ditën e martë të javës së parë dhe të tretë”.

Sipas policisë “arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në një dhomë hoteli në Ksamil, Edison Vyzaj ka plagosur me armë zjarri shokun e tij, Tauland Beqiri, ndërsa shtetasi Makawitage Perera ka fshehur armën e zjarrit pistoletë të përdorur në këtë ngjarje. Gjithashtu, i plagosuri Tauland Beqiri, pasi është dërguar në spital ka refuzuar të japë gjeneralitetet dhe të tregojë rrethanat e ngjarjes.”

Sipas dosjes hetimore, Edison Vyzaj tregon se plagosja ndodhi nga pakujdesia dhe se nuk kishte në plan ta lëndonte shokun e tij të ngushtë.

Autori i plagosjes, Edison Vyzaj ka treguar përpara hetuesve të gjithë kronologjinë e ngjarjes se si ai ka dashur t’i heqë pistoletën nga dora Tauland Beqirajt dhe gjatë tentativës, arma është shkrepur pa dashje.

Ndërkohë zbutje të masës së sigurimit nga “arrest në shtëpi” në një masë më të lehtë ka kërkuar edhe Tauland Beqiri, që pritet të shqyrtohet nga Gjykata.

Veprat penale janë ndryshuar nga “plagosje e rëndë me dashje” në “plagosje e lehtë nga pakujdesia”.

Ndërkaq ka rënë vepra penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” për një sasi të vogël droge të gjetur në dhomë, pasi të dyshuarit kanë rezultuar përdorues.

Gjithashtu ka rënë edhe vepra “moskallëzim krimi”. Ka mbetur ndërkohë vepra “mbajtje pa leje e armëve luftarake” për Edison Vyzajn.

3a77d002 3093 404d 8c9a 08d3bff13236

 

2ca13fc2 24a3 4c5b Ad07 8e9f961889b3

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb