Një 35-vjeçar u plagos me armë zjarri në qytetin e Pogradecit. Mësohet se i plagosur ka mbetur Brian Syzo, kurse burime nga Policia e Pogradecit bëjnë të ditur se Nikolla Agolli është shpallur në kërkim si autor i dyshuar i ngjarjes. Menjëherë pas plagosjes, Brian Syzo u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Pogradecit, nga ku bluzat e bardha konfirmojnë se 35-vjeçari ka marrë një plumb në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes, policia ka ngritur postblloqe në hyrje-dalje të Pogradecit, për të rënë në gjurmët e autorit të dyshuar Nikolla Agolli.

Ngjarja dyshohet se lidhet me motive hakmarrjeje, pasi në vitin 2025 vëllai i Brian Syzos, Sindi Syzo plagosi Nikolla Agollin brenda një berberhaneje. Po ashtu, i plagosuri Brian Syzo nuk është emër i panjohur për uniformat blu, pasi në mars të vitit të shkuar u ekstradua nga Gjermania, sepse ndaj tij Gjykata e Korçës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: