Kreu i PD, Lulzim Basha ka thënë se gjatë mbledhjes me ambasadorët e BE është diskutuar për një plan ekonomik me BE për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve.

Basha tha se i bëri dy kërkesa ambasadorëve, mbështetjen politike për integrimin dhe ekonomike për shkak të pandemisë.

” Në vend që të ecej në drejtim të plotësimit të 15 kushteve për hapjen e negociatave, që janë edhe hapa për të dalë nga kriza në vend, Shqipëria po bën hapa mbrapa. Për shkak të Edi Ramës kriza po thellohet, veprimet e javës së fundit dhe veprimet e javëve të fundit po e thellojnë edhe më shumë krizën politike, po e largojnë edhe më shumë Shqipërinë nga Europa. Opozita mbetet e përkushtuar për ecjen e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe në plotësimin e 15 kushteve sepse kjo është mënyra e vetme për t’iu shërbyer njerëzve. Ndaj sot kam kërkuar nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE ndihën e vendeve anëtare që Shqipëria të mund të plotësojë kushtet për integrimin, që Shqipëria të mund të hapë negociatat, që Shqipëria të mund të ketë mbështetjen e nevojshme politike dhe financiare që ka sot nevojë më shumë se kurrë për të përballuar situatën krejtësisht në krizë, në krizë politike, në krizë sociale, në krizë ekonomike dhe e ka edhe më të nevojshme për shkak të pasojave shkatërruese COVID-it.

Pra kanë qenë dy shqetësimet kryesore që kam ndarë me ta. E para, faktin që ky kryeministër dhe kjo qeveri jo vetëm që nuk po ndihmojnë por po e pengojnë integrimin, ku i kam siguruar se unë personalisht, Partia Demokratike dhe gjithë koalicioni opozitar do të bëjmë gjithçka për të ecur përpara për procesin e integrimit sepse është një proces jetik për vendin.

Dhe së dyti, katastrofa ekonomike në të cilën ndodhet vendi dhe domosdoshmërinë që sëbashku me Bashkimin Europian të farkëtojmë një plan jo vetëm për të dalë nga kjo situatë, por një plan aftmesëm dhe afatgjatë masash për të mbështetur njerëzit, për të mbështetur familjet shqiptare në veçanti sa i përket situatës shumë të vështirë ekonomike, krizës së thellë ekonomike, gjendjes së tyre të, të familjes së tyre dhe të punësimit që po kthehet në një plagë edhe më të madhe sesa ishte para pandemisë.”- tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb