Kryeministri Edi Rama ka bërë një pretendim lidhur me protestat e ditëve të fundit, duke deklaruar se dy ditë më parë është neutralizuar një dron me eksplozivë, i cili, sipas tij, ishte destinuar të godiste Kryeministrinë dhe t’i vinte zjarrin oborrit të brendshëm të godinës.
Rama vijon të këmbëngulë se protesta nuk është thjesht një reagim i të rinjve dhe studentëve, por sipas tij, pas saj qëndrojnë persona të tjerë. Ai u shpreh se të rinjtë janë të frustruar dhe kërkojnë ndryshim, por pretendoi se janë kthyer në “pengje” të një grupi që e cilësoi si “grupi i zjarrit”.
Kreu i qeverisë akuzoi gjithashtu personat e maskuar se përdorin edhe të miturit si mburojë gjatë përplasjeve në bulevard.
“Rinia dhe studentët janë të frustruar dhe të inatosur, duan ndryshim dhe është në natyrën e qënies së tyre, por me keqardhje them se kjo rini dhe këta studentë që janë në bulevard janë pengje të grupit të zjarrit në krye. Atyre me maska, ku përdoren gjerësisht edhe të miturit, si mburoja për të përparuar.
Para 2 ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste Kryeministrinë duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm ku është ngrehina e drurit dhe një Zot e di me çfarë pasojash”, tha ai.
