Një 45-vjeçar është gjetur i plagosur sot në Kuçovë në lagjen “Një Maji”.
Gazetarja Eneida Petova raporton për BalkanWeb se bëhet fjalë për 46-vjeçarin Admir Bejo, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 19:30, shtetasi A.B., 45 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, është transportuar nga kalimtarë të rastit për në Spitalin Rajonal Berat, për ndihmë mjekësore , jashtë rrezikut për jetën.
Nga informacionet e marra dhe këqyrja paraprake e mjekut ligjor, shtetasi A.B dyshohet të jetë plagosur me armë zjarri.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Policisë për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/eve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe sekuestrimin e të gjitha provave me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
(BalkanWeb)