TIRANE- Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka komentuar mbrëmjen e sotme platformën ekonomike, një nga nismat e tjera që ka ndërmarrë opozita.

Teksa foli për betejën kundër oligarkëve, lideri i PD-së tha se kur PD do të vijë në pushtet do të godasë të gjitha aferat që lidhen me PPP-të apo dhe tenderat sipas tij abuzive. Në ‘Open’ Basha tha se me këtë platformë do të shpëtohen 2.2 miliardë euro.

“Vendi po kalon një situatë shumë të rëndë, veçanërisht në rrafshin ekonomik, pasi shqiptarët e të gjitha shtresave, e ndjejnë “darën” e shtrëngimit ekonomik, që është rezultat i aleancës së pushtetit me një grusht oligarkësh. Paratë e shqiptarëve po prodhojnë mirëqenie vetëm për një grup njerëzish dhe jo për të gjithë popullsinë. Kjo ndodh pasi ligjet shkelen dhe me ndërhyrjen e shtetit, kompani të caktuara, pas vetëm 48 orësh nga krijimi, merr miliona euro koncesione. Jemi në një situatë të jashtëzakonshme, ndaj në këtë situatë dramatike, duhet të marrim një masë dramatike, që të mos lejojmë që 2.2 miliardë euro para të shqiptarëve, të përfundojnë në xhepat e qeveritarëve dhe oligarkëve. Ligji synon ndaljen e këtij procesi dhe verifikimin me detaje të këtyre aferave, duke bërë sekuestrimin e pasurive të paligjshme dhe duke çuar para përgjegjësisë të gjithë zyrtarët që janë të përfshirë”, tha Basha.

Po ashtu ai theksoi nevojën e vullnetit politik për realizimin e kësaj platformë.

“Kjo platformë kërkon vullnet politik dhe njerëzit që janë të përfshirë në këtë mega skandal të PPP, tenderave, licensace, duke filluar kryeministri, ministrat, zyrtarë të kabinetit, drejtues të agjencive dhe ato kompani private që janë palë në këtë krim sepse në këtë krim që konsumohet janë dy palë, nuk mund të besohen këta njerëz, pra kjo nuk mund ti besohet njerëzve të këtij kryeministri. Sepse janë këta vetë që e kanë sjellë në këtë gjendje që kanë kaluar ligje special si Fusha, dhe kanë krijuar mekanizma të tillë si ky i iniceneratorëve që i ka nisur paratë e taksapagusve shqiptarë për ti nisur ato në kompani offshore me sebepin e investimeve falso apo më keq si dëmtuese të shëndetit të qytetarëve siç janë ato iniceneratorë. Themelore është vullneti politik. Në radhë të parë është një shpallje ndaj qytetarëve shqiptarë dhe jo vetëm e vizionit dhe vendosmërisë por edhe planit tonë për tju përgjigjur kësaj gjendje emergjente. nuk është më thjeshtë një premtim elektoral apo një program elektoral por është një projektligj i cili bëhet pjesë e ligjit antimafia dhe trajton oligarkët, klientët e qeverisë, abuzuesit me tenderat, përfituesit e PPE-ve, kontratave koncensionare abuzive, lejeve, njësoj siç trajtohet krimi i organizuar”, tha ai.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb