NGA KLODIANA HAXHIAJ

DURRES- Këtë sezon turistik, plazhi i Durrësit ka humbur klientët e tij “fanatikë”, pushuesit nga Kosova dhe Maqedonia. Risia e këtij viti është fakti që këtij plazhi u janë rikthyer durrsakët, tiranasit dhe turistët e huaj. Pavarësisht këtyre të fundit, plazhi i Durrësit, një nga më të frekuentuarit e vendit tonë për vite me radhë, aktualisht ka një numër të paktë pushuesish. Kjo ka bërë që çmimet në restorante dhe hotele të jenë të ulëta. Pushuesit aktualë ndjehen shumë të kënaqur dhe komodë, pasi “zbrazja” e këtij plazhi ka ndikuar në rritjen e shërbimeve dhe të pastërtisë. Numrin e ulët të pushuesve dhe mungesën e atyre tradicionalë, të Kosovës dhe Maqedonisë, pronarët e bizneseve fillimisht e justifikonin me ngërçin e krijuar nga zgjedhjet vendore dhe më pa me muajin e Ramazanit.

Por edhe pse agjërimi përfundoi, numri i pushuesve që gjenden në bregdetin e Durrësit nga Agipi në Shkëmbin e Kavajës është dukshëm më i ulët se pritshmëritë. Madje, në orarin e drekës restorantet buzë rrugës janë bosh, nuk ka njerëz të ulur për të drekuar. Pronarët e lokaleve dje pohuan se një situatë e tillë është krijuar për shkak të krizës ekonomike, publiciteti i munguar nga operatorët privatë dhe përfaqësuesit e pushtetit lokalë për thithjen e pushuesve si dhe publiciteti i keq që i është bërë plazhit të Durrësit gjatë viteve të shkuara.

PUSHUESIT
“Kam ardhur nga Tiranë me gjithë familjen. Jemi rikthyer në plazhin e Durrësit, pasi është afër dhe ndryshe nga vitet e mëparshme, është shumë i pastër, nuk ka shpenzime të mëdha, 300 lekë është çadra me shezlong dhe në mbrëmje kthehemi sërish në shtëpi”, tha një pushues nga Tirana. Këtë sezon, në plazhin e Durrësit për herë të parë gjen edhe turistë hungarezë, gjermanë etj. “Jam nga Hungaria. Kam ardhur këtu me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Së bashku me ne është edhe një familje tjetër nga Gjermania dhe do të qëndrojmë 7 ditë në plazhin e Durrësit. Është shumë bukur. Nxehtë, dhe plazhi është fantastik. Qëndrojmë në hotel, ndërsa çmimet janë shumë të lira. Do të rikthehemi sërish vitin tjetër”, tha një turist hungarez.

ÇMIMET
Pronarët e restoranteve buzë rrugës janë nga Kosova dhe Maqedonia. Kuzhinat e restoranteve të tyre janë në dispozicion të pushuesve, ndërsa çmimet janë të lira pasi gatuhet për familjarë. Me 1500 lekë të reja kalon një vakt një familje prej 4 anëtarësh në restorantet buzë rrugës. Aktualisht hotelet punojnë me kapacitet nga 30 deri në 40% të tyre, ndërsa edhe banorët e plazhit kanë ulur çmimet dhe dhomat i kanë të lira. Të gjitha bizneset kanë investuar nga viti në vit për të krijuar kushte të mira për pushuesit, por investimet nuk u përkthehen në të ardhura.

Madje, sipas tyre, qëllimisht Durrësit i bëhet propagandë e keqe që pushuesit të shkojnë në Shëngjin e Velipojë ku shërbimet nuk janë më të mira se në Durrës, ndërsa çmimet nuk janë po aq të lira sa në këtë plazh. Në hotelet me emër, çmimi i një dhome varion nga 30 deri në 50 euro. Ndërsa, në hotelet e tjerë një dhomë me kondicioner është 20 euro nata, ndërsa pa kondicioner 7 euro nata. Nga 10 deri në 15 euro nata jepen edhe banesat private me qira për pushuesit, çmime këto shumë të ulëta dhe konkurruese, krahasuar me pjesën tjetër të bregdetit Adriatik, në Shëngjin e Velipojë.

Ndërkohë që në Jug, në bregdetin e Jonit, çmimet janë disa herë më të larta se në Durrës. Pronarët e bizneseve deri tani nuk kanë nisur ende të nxjerrin fitime, ndërsa kalendari shënon 10-ditëshin e fundit të korrikut. “Po falimentojmë. Pushuesit janë të paktë, ndërsa duhet të paguajmë taksat që na vë shteti dhe pagat e punonjësve. Kemi mbetur me sytë nga rruga në pritje të pushuesve. Shpresa vdes e fundit”, deklaruan ata.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: