Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar sot e plotë stërvitjen e paradites në Durrës, duke përgatitur ndeshjen kundër Izraelit. Trajneri Xhani De Biazi kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, pasi grupit iu bashkuan edhe dy të fundit, Odise Roshi dhe Bekim Balaj.

Megjithatë, të dy lojtarët që udhëtonin nga Rusia u stërvitën të diferencuar, duke kryer vrapime, bashkë me Mërgim Mavrajn dhe Armando Sadikun. Ky i fundit vazhdon planin e përgatitjes individuale duke shpresuar që të riaftësohet në kohë dhe stafi mjekësor i Kombëtares po e monitoron nga afër gjendjen e tij, në tentativën për të bërë gati lojtarin për ndeshjen e të shtunës. Sadiku ka qenë prej disa javësh nën mbikëqyrjen e Xhanluka Stesinës, mjekut të kombëtares, i cili punon në qendrën J-Medical ku po riaftësohej sulmuesi. Stesina i ka konfirmuar De Biazit se lojtari mund të bëhet gati për këtë sfidë dhe kjo është arsyeja pse Sadiku u grumbullua ndonëse nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje që nga momenti i dëmtimit.

Sakaq, pjesa tjetër e grupit vazhdoi të punonte taktikisht me ekipin me ushtrime që kishin si qëllim daljen nga mbrojtja në sulm si repart. Pjesë e grupit ishte edhe Arlind Ajeti, një tjetër lojtar i rëndësishëm i riaftësuar pas një fillimi sezoni problematik për shkak të dëmtimeve./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: