Pengesa për gazetarët dhe operatorët në protestën e studentëve në Tiranë: Policia krijon kordon përgjatë bulevardit, duke i shtyrë përfaqësuesit e mediave rreth 200 metra larg Kryeministrisë, ku u shënuan përplasjet.
Gazetarët dhe operatorët po dokumentonin përplasjet e herëpashershme përballë Kryeministrisë, kur një kordon policor u vendos përgjatë gjithë gjerësisë së bulevardit. Efektivët nisën t’i shtynin përfaqësuesit e mediave drejt zonës së Hotel Rogner, duke i larguar nga vendi ku po zhvilloheshin ndërhyrjet policore dhe shoqërimet e protestuesve.
Renaldo Salianji, gazetar i News24, i cili po raportonte drejtpërdrejt nga protesta, tregoi për DW se policia e kishte penguar të filmonte aksionet, ndërsa efektivët e kishin shtyrë gjatë transmetimit.
“Insistuam të mësonim arsyen, por nuk morëm asnjë përgjigje. Forcat e policisë na kanë shtyrë teksa raportonim drejtpërdrejt. Për mua është hera e tretë që ndodh një situatë e tillë gjatë ditëve të protestës” – tha Salianji.
Pavarësisht kërkesave për të vijuar punën, gazetarët nuk u lejuan të kalonin përtej kordonit dhe të dokumentonin nga afër shoqërimet e protestuesve. Ndërkohë, ndaj përfaqësuesve të mediave që filmonin nga ana e protestuesve, efektivët përdorën edhe spraj me piper.
50 raste sulmesh ndaj gazetarëve, 40 lidhen me policinë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënoi bllokimin e mediave gjatë protestës, duke e cilësuar pengim të ushtrimit të profesionit dhe cenim të së drejtës së publikut për t’u informuar.
“Kjo nuk është mbrojtje e rendit publik. Kjo është pengim i drejtpërdrejtë i lirisë së medias dhe i së drejtës së qytetarëve për t’u informuar” – thuhet në reagimin e Asociacionit.
Sipas AGSH-së, gjatë periudhës 13 – 24 tetor 2026 janë dokumentuar 50 raste sulmesh ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, nga të cilat 40 lidhen me Policinë e Shtetit. Në pesë raste, gazetarë dhe punonjës të medias janë goditur me plumba gome gjatë ushtrimit të detyrës.
“Nuk mund të ketë më justifikime për pengimin e vazhdueshëm të gazetarëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre themelore” – thekson AGSH.
Deri në momentin e raportimit, Policia e Shtetit nuk ka dhënë një shpjegim publik për arsyet e bllokimit të gazetarëve.
Përplasje mes protestuesve dhe policisë
Ndonëse pjesëmarrja ishte më e ulët se të shtunën, 24 tetor,studentët u mblodhën në orën 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit. Protesta nisi me veprime simbolike, ku pjesëmarrësit hodhën kartëmonedha simbolike me vlerë 2500 euro, në shenjë ironie ndaj shpërblimit të lajmëruar nga kryeministri Edi Rama për efektivët e policisë të angazhuar gjatë protestave.
Me zhvendosjen drejt Kryeministrisë, situata u tensionua. Protestuesit dogjën karrige dhe pati përplasje me forcat e rendit.Më pas, një pjesë e protestuesve qëlluan me gurë drejt godinave të Kryeministrisë dhe Kuvendit, përpara se të shpërndaheshin në zona të ndryshme të qytetit.
Tre të lënduar paraqiten në Spitalin e Traumës
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, gjatë protestës së kësaj të diele në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur tre persona të lënduar.
Një protestues vijon të jetë i shtruar në spital, ndërsa një tjetër protestues dhe një efektiv policie kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali./ DW
