Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se po rrëmben fëmijë ukrainas dhe po i stërvit ata për të luftuar kundër vendit të tyre, duke e cilësuar praktikën si një nga aspektet më shqetësuese të luftës që vazhdon prej vitesh.
Në një intervistë ekskluzive për CBS News, Zelensky deklaroi se autoritetet ukrainase disponojnë prova që tregojnë se fëmijë të larguar nga territoret e pushtuara po i nënshtrohen programeve të indoktrinimit dhe më pas po përgatiten për aktivitete ushtarake.
“Kur këta fëmijë rriten, ata i dërgojnë në fushën e betejës. Ata i mësojnë të urrejnë vendin e tyre dhe popullin e tyre”, u shpreh presidenti ukrainas, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi provat që sipas tij disponon Kievi.
Sipas Zelenskyt, Ukraina ka dokumentuar deri më tani rrëmbimin ose transferimin e të paktën 20 mijë fëmijëve ukrainas dhe po punon me partnerët ndërkombëtarë për të identifikuar dhe kthyer edhe raste të tjera që dyshohet se janë shumë më të shumta.
Çështja e transferimit të fëmijëve ukrainas në territorin rus ka qenë prej kohësh objekt i shqyrtimit ndërkombëtar. Në vitin 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, duke e lidhur atë me atë që e përshkroi si deportim të paligjshëm të fëmijëve nga territoret e pushtuara të Ukrainës.
Nga ana tjetër, Kremlini ka mohuar akuzat, duke argumentuar se programi synon kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve të prekur nga lufta, përfshirë jetimët dhe të miturit nga zonat e konfliktit.
