Avokati Ledio Braho i ftuar në emisionin Kjo javë me moderatore Nisida Tufën, komentoi bojkotin e avokatëve ndaj seancave plenare.
Braho theksoi se është e papranueshme, që të sekuestrohen celularët e avokatëve, sepse me këtë mjet tani zhvillohet pjesa më e madhe e procesit gjyqësor. Ai shtoi se bojkoti i avokatëve do të vijojë.
I bëri thirrje GJKKO-së që të reflektojë dhe të heqë rregulloren e ngurtë, që nuk lejon që gazetarët dhe avokatët të kenë celularë.
Avokati Ledio Braho: Jemi në vendnumëro që nga fillimi i shtatorit. Avokatët i kanë dërguar shkresë GJKKO-së në lidhje me rregulloren dhe që të uleshin në bisedime dhe në lidhje me aktin e nxjerrë nga gjykata, sepse është një akt që cenon avokatët.
Nuk kishte reagim. Ne vendosëm që të bojkotojmë fillimisht që të gjitha seancat, përpos masave urgjente. GJKKO thotë se celularët duhet të ndalohen, ka dhe ndalime të tjera si nuk lejohen çantat etj. Kjo është sekuestrim telefoni përpara se të hysh në seancë. Kur procesi shtyhej, sepse nuk ka avokat, këto të fundit nisën që të gjobiten.
Dhoma e Avokatisë gjobit avokatët, që marrin pjesë në seanca. Një avokat shkeli bojkotin dhe është gjobitur. Bojkoti do vijojë, sepse vendimin e parë e ka marrë GJKKO. GJKKO duhet të ulet me Dhomën e Avokatisë dhe me gazetarët, sepse edhe njerëzit e medias kanë pasur pakënaqësi. Po edhe qytetarët po demoralizohen. GJKKO po shfaq arrogancë. Besoj se do ketë një reflektim nga ana e GJKKO, me qëllim që qytetarët të shërbehen në gjykata.
