Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve se ka dyshime të arsyeshme që në Shqipëri po qarkullojnë edhe mutacionet e reja të koronavirusit.

Teksa renditi disa nga arsyet që kanë çuar në rritjen e infektimeve nga Covid-19, ministrja Manastirliu theksoi se me gjasë shkak është edhe mbërritja e varianteve të reja në vend.

“Jemi sot në një moment sa delikat, aq edhe të rëndësishëm. Ka dyshime të arsyeshme se kemi një qarkullim të mutacioneve të reja të virusit Covid-19. Jemi në një situatë ku me gjasë prej këtyre varianteve të reja kemi shtim të infeksioneve. Kushtet e dimrit e bëjnë edhe më të pafavorshme situatën. Kemi shtim të infektimeve, ulje të moshës së të prekurve. Kjo ka sjellë një shtim të ndjeshëm të misioneve të urgjencës kombëtare, misioneve në banesë. Kjo situatë në ditët e fundit është shoqëruar edhe me shtim të rasteve në spitale dhe rritje të pacientëve në terapi intensive”, deklaroi ministrja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb