Eurodeputetja e Grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Cristina Guarda, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të dëgjojë qytetarët dhe të respektojë protestat, duke theksuar se dialogu është detyrë e çdo politikani përballë një mobilizimi të gjerë qytetar.

Në një intervistë për News24, Guarda u pyet se cili duhet të jetë reagimi i kryeministrit dhe i qeverisë ndaj protestave dhe nëse ishte njohur me deklaratat e deritanishme të Ramës.

“Kam parë disa video për reagimin e tij dhe, siç shoh, më duhet të them se do të doja të shihja një politikan që, edhe nëse është dikush që konteston diçka, të jetë i gatshëm, të jetë i hapur për dialog. Mendoj se mbase, po të largohesh nga përvoja e menaxhimit të pushtetit, mund të humbasësh veten. Unë mendoj se kur njerëzit kërkojnë me ngulm që të dëgjohen, atëherë është shumë e rëndësishme të bëjmë një hap prapa dhe të zbresim e të bisedojmë drejtpërdrejt me njerëzit, duke respektuar protestën e tyre dhe duke respektuar rolin e saj”, tha ajo.

Duke folur për mesazhin që do të përcjellë në Parlamentin Europian pas vizitës në Shqipëri, eurodeputetja tha se shqiptarët janë të gatshëm për Evropën, por presin rezultate konkrete në jetën e përditshme.

“Se ka njerëz shqiptarë që janë gati të jenë evropianë, por ata duan të shohin rezultate, sepse të qenit evropian nuk është vetëm një rezultat në letër. Ne duhet të garantojmë që qeveria të vazhdojë të punojë për të garantuar ndryshime praktike në jetën shqiptare. Jo vetëm në anën mjedisore, kjo është vërtet e rëndësishme sepse është e ardhmja e fëmijëve tanë, por edhe në kujdesin shëndetësor, në arsim, në mundësitë e punësimit këtu, në cilësinë e jetës. Kështu që ata të mos ndihen të përjashtuar nga progresi dhe nga hapi përpara i këtij vendi, sepse vendi është bërë nga njerëzit dhe këta njerëz duhet të jenë në qendër të idesë dhe qëllimeve tona të mirëqenies”, u shpreh Guarda.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb