Një 47- vjeçar nga Korça është arrestuar pasi u kap duke transportuar drejt Tiranës 5 emigrantë të paligjshëm.

Gj.M, ishte duke udhëtuar në aksin Elbasan- Tiranë teksa kundrejt fitimit po transportonte me mjetin e tij tip ‘’Benz’’ 5 emigrantë.

Por ndërkohë ai ka bërë rezistencë dhe për të shmangur shoqërimin në komisariat ka goditur punonjësin e Policisë si dhe ka dëmtuar automjetin e uniformave blu.

 

NJOFTIMI NGA POLICIA

Tiranë

 

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

 

Gjithashtu, arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.

 

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, goditën një tjetër rast. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit GJ. M., 47 vjeç, banues në Korçë.

 

Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në autostradën Elbasan-Tiranë, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, kundrejt fitimit , 5 shtetas, emigrantë të paligjshëm. Për të shmangur shoqërimin në ambientet e Policisë, ky shtetas ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë dhe ka dëmtuar mjetin e Policisë.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

 

-A. B., E. Sh. dhe B. V., pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur;

 

-K. C., 19 vjeçe, pasi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u kap duke drejtuar mjetin pa leje përkatëse.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb