Kryeministri Edi Rama teksa ka prezantuar edhe kantierin për ujësjellësin e ri në Dumre, i është përgjigjur komentuesve se pse pikërisht tani, gati 9 muaj para zgjedhjeve qeveria po investon për to.

Rama thotë se projektet për këto ujësjellëse janë bërë shumë kohë më parë, por nga një anë financimi nuk ishte përherë i mundur, teksa nga ana tjetër qeveria duhet të lante borxhet që trashëgoi nga qeveria e kaluar.

Po ashtu ai thumbon qeverinë e kaluar duke thënë se i la në zoant urbane tubat e miqësisë shqiptaro- kineze.

 

 

STATUSI NGA EDI RAMA

?KANTIERI I UJIT në zonën e Dumresë, i hapur nga qeveria jonë për të transformuar rrënjësisht një rrjet plotësisht të amortizuar, ku s’ishte vënë dorë qysh prej vitit 1983, do të zgjidhë njëherë e mirë furnizimin e familjeve në Belsh, të cilat sot marrin 12 deri 15 orë ujë në ditë dhe të 34 fshatrave përreth, ku uji arrin në rubinet nga 3 deri në 6 orë në ditë.

 

Aktualisht janë kryer afro 60% e punimeve, për të realizuar një rrjet kompleks me 22.3 kilometra linjë kryesore dhe 40.4 kilometra degëzime. Risia e bukur është se rrjeti i ri do të lidhet me një burim energjie diellore, prodhuar nga panele fotovoltaike dhe brenda vitit 2021, 8. 681 familjeve të përfshira nga ky projekt, nuk do t’u mungojë më asnjë minutë uji në shtëpi?

 

*duke ndjekur komentet e postimeve nga Kantieret e Ujit, të bien në sy edhe pyetja cinike, “Pse u kujtove tani?”, edhe shprehja përqeshëse, “Po vijnë votimet prandaj!”. Por në fakt, as u kujtova tani dhe as ka lidhje fare me votimet kjo punë e madhe, për zgjidhjen përfundimtare të problemit të ujit të pijshëm në qendrat urbane të Shqipërisë, ku rritja e shpejtë e popullatës, ndërtimet e shumta pa leje, ndërhyrjet e panumërta të paligjshme në rrjet, si edhe mungesa e investimeve prej dekadash, kanë krijuar në vite këtë problem të madh. Ajo që nuk duan të dëgjojnë disa që bëjnë kompetentin duke shfryrë mllef, njësoj si tifozët që bëjnë trainerin duke sharë, është se investimet publike nuk nisin kur mbarojnë, as kur fillojnë gërmimet. Ato nisin kur fillon projektimi i tyre, i cili merr kohë e bashkë me procedurat ligjore, kërkon nganjëherë edhe vite – kollaj t’i nisësh punët siç bëheshin më parë, me letra bakalli në vend të projekteve serioze, po pastaj i paguan sa frëngu pulën qoftë në kohë e qoftë në fonde.

 

Shikoni për shembull Rindërtimin e Shkollave, një pjesë e tyre po ndërtohen nga ne me fondet e buxhetit të shtetit, një pjesë tjetër do të ndërtohen nga Bashkimi Europian. Ne kemi nisur nga puna në kantier, ndërsa BE-ja ende jo. Sepse ka procedurat e veta, më të zgjatura se sa tonat (kjo vlen edhe për ata që klithin, “ku i çuat paratë e botës o hajduta!” dhe nuk e dinë që bota paratë i shpenzon vetë, me procedurat e veta, nuk na i jep ne në ndonjë thes, siç e imagjinojnë krejt gabimisht klithësit!).

 

Pra, që ta mbyllim, përveçse i kemi nisur me kohë e me vakt këto projekte të ujit, mos harrojmë se edhe financimi i tyre nuk ka qenë i mundur shumë më parë, kur duhet të lanim malin me borxhe që trashëguam nga ata të cilët, siç e shihni, kush do të dëgjojë natyrisht, i lanë ujësjellësat me tubat e miqësisë shqiptaro-kineze (si në Dumre), e sot u ofrojnë shqiptarëve tubin më të madh të baltës së akuzave e të shpifjeve, si alternativë qeverisëse.

 

Ah edhe diçka, vërej që disa prej jush komentojnë pa lexuar, pjesa më e madhe e tyre e kanë fjalën e keqe në majë të gjuhës dhe u del pa pasur nevojë të informohen, s’ke ç’u bën. Të tjerëve u lutem të mos ia përtojnë leximit të postimit, përpara se sa të komentojnë a të bëjnë pyetje që në fakt e kanë përgjigjen në postim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb