Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas përplasjeve mes policisë dhe studentëve gjatë protestës së djeshme në Tiranë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se dhuna ndaj protestuesve është ushtruar me urdhër të tij.

Në një deklaratë, Berisha e cilësoi ndërhyrjen e policisë si “dhunë të egër barbare”, ndërsa vlerësoi reagimin e Universitetit të Tiranës dhe vendimin e fakulteteve për t’iu bashkuar protestës përmes grevës së përgjithshme.
Sipas Berishës, në orën 10:00 studentët kishin mbushur rrugën e Durrësit në Tiranë, duke vijuar protestën me vendosmëri.
Kreu i PD-së foli edhe për protestuesit e lënduar, duke pretenduar se disa prej tyre ndodhen në spitale dhe kanë pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Ai u ndal veçanërisht te rasti i një protestuesi me këmbë të thyer, duke e cilësuar dhunën e ushtruar ndaj tij si të papranueshme.

“Dhunë e egër barbare të urdhëruar nga Rama dhe vasali i tij Demo, Universiteti i Tiranës iu përgjigj në mënyrën më dinjitoze e të vendosur, me grevën e përgjithshme të fakulteteve.
Në orën 10:00 të mëngjesit studentët kanë mbushur rrugën e Durrësit dhe po qëndrojmë me vendosmëri epike.
Janë në spitale disa demostrues që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale, si të ishin kafshë të egra i thyen këmbën protestuesit, thyerje që mund t’i kushtonte jetën sepse nëse arteria do të çahej nga kocka, nuk mund t’i jepnin asnjë lloj ndihme.
Rama në vend të dorëheqjes kërkon t’u servirë studentëve shkarkimin e Hitës apo ndonjë tjetri në një kohë kur ai qëndron vetë direkt prapa urdhrit.
PD ka mbështetur me të gjithë potencialin dhe do të mbështesë protestën studentore. U bëj thirrje qytetarëve dhe demokratëve të lënë çdo gjë e të bashkohet në këto momente historike për të mbështetur fuqimisht studentët dhe protestën e tyre. Ju bëj thirrje të gjithë pedagogëve”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb