LONDER– Policia në Britani që po heton sulmin në Manchester Arena ka ndalur ndarjen e informacioneve lidhur me këtë çështje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas publikimit të informacioneve nga disa media amerikane. BBC bën të ditur se zyrtarët britanikë kanë shprehur zemërimin e tyre kur panë që “New York Times” ka publikuar foto me pasojat nga sulmi.

Po ashtu emri i sulmuesit, Salman Abedi, ka rrjedhur në mediat amerikane vetëm pak orë pas sulmit, nga ku mbetën të vrarë 22 persona dhe u plagosën 64 të tjerë. Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, pritet t’ia përcjellë këto shqetësime presidentit Trump gjatë takimit në Bruksel.

Policia e Mançesterit tha se shpreson që së shpejti të rifillojë marrëdhëniet normale të inteligjencës, pasi konfliktit të fundit. Policia, e cila udhëheq hetimet në terren, ia kalon informacionet Forcës Kombëtare Anti-Terrorizëm.

Kjo e fundit ia përcjell qeverisë dhe në bazë të një marrëveshjeje për shkëmbim të informacionit, ia përcjell edhe SHBA-në, Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re. Tetë persona ndodhen aktualisht në paraburgim, nën dyshimet se kanë lidhje me sulmin në Mançester.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb