KOSOVË- Institucionet përgjegjëse për sigurinë në Kosovë kanë marrë informata se njerëz të afërt me liderin e shqiptarëve të ISIS, Lavdrim Muhaxheri, kanë urdhëruar njerëzit e tyre në Kosovë dhe Maqedoni që të kryejnë sulme terroriste në Prishtinë dhe Shkup.

Lajmi.net, ka siguruar komunikimin në mes të personave përgjegjës për sigurinë në vend, ku urdhërohet Policia e Kosovës që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve.

Në këtë komunikim i tregohet policisë se një person shqiptar nga Maqedonia (emër i njohur për policinë), i cili aktualisht ndodhet në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, dhe që është shumë i afërt me Lavdrim Muhaxherin, ka kontaktuar me individë të besueshëm të tij për sulme të mundshme gjatë muajit qershor në Kosovë dhe Maqedoni.

Institucionet e sigurisë në Kosovë, momentalisht nuk janë në dijeni të identitetit të personave të kontaktuar nga bashkëpunëtori i Lavdrim Muhaxherit, por besojnë se ata kanë eksperiencë në xhihadin e dhunshëm.

Në këtë komunikim, të cilin e kanë siguruar institucionet e sigurisë në Kosovë, personi i afërt me Lavdrim Muhaxherin ka porositur njerëzit e tij në Kosovë dhe Maqedoni se gjatë sulmeve terroriste në Prishtinë dhe Shkup, duhet të shkaktohen sa më shumë dëme materiale dhe pasoja në njerëz pa dallim religjioni.

Ata edhe pse kanë përcaktuar Prishtinën dhe Shkupin, si dy qendrat më të mëdha në rajon, kanë thënë se sulmet nuk duhet kufizuar vetëm aty. Policia i ka të ditura edhe objektivat e parapara për sulm nga xhihadistët, që përbëjnë pika të rëndësishme për funksionimin e jetës së qytetarëve.

Me këtë rast Policia e Kosovës është rekomanduar që të rris vigjilencën, duke përmendur edhe lokacionet se ku duhet të fokusohet më shumë. Ky kërcënim vjen disa ditë pasi xhihadistë nga Ballkani, duke përfshirë edhe shqiptarë, që luftojnë në Siri dhe Irak, lëshuan një kërcënim përmes një videoje për këtë pjesë të rajonit, duke paralajmëruar sulme, që sipas tyre do të përfshinin Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, Serbinë e Malin e Zi.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb