Forcat e rendit nisën sot në periferi të Romës shembjen e tetë shtëpive luksoze të ndërtuara në mënyrë të paligjshme nga klani mafioz “Casamonica”, i njohur për aktet e dhunës.

“Sot nisëm prishjen e dy vilave të para”, deklaroi kryebashkiakja e Romës, Virginia Raggi, ndërsa policia bashkiake hoqi mobiljet e fundit nga shtëpitë e zbukuruara me statuja të lara në ar, shandane dhe afreske.

Vala e operacioneve do të vazhdojë dhe do t’i shembim të tetë vilat. Nuk do të ndalemi derisa ky territor t’u kthehet qytetarëve të Romës”, shtoi kryebashkiakja.

Vilat e ndërtuara pa leje ndodhen në lagjen “Quadraro”, në lindje të kryeqytetit.
Më shumë se 600 oficerë policie u mobilizuan për këtë operacion, i cili u parapri një ditë më parë me largimin e tridhjetë banorëve të këtyre vilave, shkruan atsh.

“Sot është një ditë e bukur për romanët. Ne do të kthejmë ligjshmërinë, rregullat, disiplinën dhe sigurinë”, u shpreh Matteo Salvini, ministri i Brendshëm dhe kryertari i Ligës (ekstremi i djathtë). Liga qeveris Italinë në sajë të një koalicioni me Lëvizjen 5 yjet (populiste), pjesë e së cilës është edhe kryebashkiakja e Romës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: