Nga Varshava/ Ben ANDONI*

Është e vështirë që këtij zyrtari t’i shkëputësh diçka për Shqipërinë, përveç sloganeve burokratike. Shkëlqesia e tij, Konrad Pawlik, zëvendësministri i Jashtëm polak, është përgjegjës për Ukrainën dhe është një nga zyrtarët evropianë që e njeh më mirë Ukrainën dhe Rusinë, ndaj fokusohet vetëm në fushën e tij. “Nuk dua të heq skenarë të zinj, – më thotë – por duhet të jemi të kujdesshëm”. Dhe, kur e pyes për detaje, ai me elegancë e mbyll: “Polonia e ka ushtrinë profesionale. Por, situata aktuale na detyron të mendojmë si mund ta fuqizojmë atë me formacionet vullnetare të mbështetura në strukturat shoqërore, psh. organizatat e skautëve ose ato sportive”. Për Shqipërinë, vendi i tij e mendon në të ardhmen në Evropë, por kujdes, pasi të ketë kryer detyrat evropiane!

Ç’do të thotë për Poloninë konflikti në Ukrainë?
Me aneksimin e Krimesë dhe agresionin në Donbas, Rusia ka lëkundur arkitekturën e sigurisë, të ndërtuar në dekada në Evropë. Pas Luftës së Dytë Botërore, asnjë vend evropian nuk ka aneksuar territorin e ndonjë vendi fqinj. Polonia është vendi i vetëm e BE-së, i cili kufizohet njëkohësisht me Ukrainën dhe me Rusinë, andaj situata përtej kufirit lindor natyrisht që na shqetëson shumë. Ju kujtoj gjithashtu që, duke realizuar politikën e fqinjësisë së mirë ndaj Ukrainës, Bashkimi Europian nuk ka parashtruar qëllime gjeopolitike. Kemi dashur vetëm të ndërtojmë një zonë stabiliteti dhe mirëqenieje. Jemi të mendimit se stabiliteti është në interesin e tërë Bashkimit Europian. Partneriteti lindor ka qenë përgjigje ndaj kësaj sfide. Ky qëllim nuk është realizuar dhe për këtë, përgjegjësia bie mbi Rusinë dhe jo mbi Bashkimin Europian.

A ka qenë atëherë marrëveshja e Minskut zgjidhje e mirë?
Bisedimet për rregullimin e konfliktit janë mbajtur në formate të ndryshme: të Gjenevës, normandik, në kuadrin e grupit të kontaktit me pjesëmarrjen e OSBE-së. Përveç marrëveshjes së Minskut, nuk kemi aktualisht asnjë tjetër, të cilës mund t’i referoheshim. Jemi të vetëdijshëm që Minsku nuk ka sjellë asnjë zgjidhje politike të konfliktit. Megjithatë, ka çuar në uljen e tensioneve, ka frenuar ekspansionin territorial të separatistëve. Mund të thuhet që në vend të luftës hibride, tani kemi një paqe hibride. Dua të vini re gjithashtu se megjithëse në lindjen e Ukrainës vazhdimisht ka incidente të armatosura, asnjëra nga palët nuk ka vendosur ta shfuqizojë këtë marrëveshje.

Si ka ndërmend Bashkimi Europian të reagojë ndaj veprimeve të Rusisë? A do të modifikohet politika e sanksioneve?
Kusht i shfuqizimit të sanksioneve mbetet implementimi i marrëveshjes së Minskut. Në mars Këshilli Europian ka konfirmuar qartazi këtë qëndrim. Duke marrë parasysh që afati i implementimit të marrëveshjes mbaron vetëm në fund të vitit, diskutimin mbi kufizimin e sanksioneve duhet ta shtyjmë të paktën deri në janar 2016. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se qëllimi kryesor i Rusisë nuk ka ndryshuar – ajo vazhdimisht synon të destabilizojë situatën në Ukrainë. Dhe për këtë, ajo ka në dispozicion jo vetëm mjetet ushtarake, por edhe një gamë të gjerë instrumentesh ekonomike. Nuk ka dyshim që Kremlini ndjek me vëmendje edhe situatën e brendshme në Ukrainë. Ai e di fort mirë se reformat që po ndërmerren nga Kievi kanë kosto shoqërore shumë të lartë dhe mund të përbëjnë një faktor tjetër destabilizues.

Polonia nuk ka qenë e pranishme në Minsk, nuk merr pjesë në formatin normandik. A do të thotë kjo që në bisedimet në forumin e BE-së, Varshava është e vetmuar? A ka qenë i mjaftueshëm reagimi i BE-së ndaj ngjarjeve në Ukrainë?
Për Poloninë sot prioritet është deeskalimi i situatës në Ukrainë. Është çështje dytësore, nëse formati normandik apo ndonjë tjetër do të sjellin këtë deeskalim, me apo pa pjesëmarrjen e Polonisë. Gjithsesi, jemi në kontakt shumë të ngushtë sidomos me partnerët e Weimarit, pra me Berlinin dhe Parisin zhvillojmë rregullisht konsultime dhe shkëmbejmë vlerësime. Duhet të mbajmë mend që Bashkimi Europian ka 28 anëtarë. Diskutimet e gjata dhe këndvështrimet e ndryshme në një grup kaq të madh janë çështje më se të natyrshme. Më e rëndësishme është që në bazë të tyre, Bashkimi Europian po harton qëndrim të përbashkët. Jam i bindur se Rusia ka bërë një gabim të madh, duke mos vlerësuar siç duhet aftësitë e Bashkimit për të ruajtur unitetin. Gjykoj se sanksionet kanë qenë për të një befasi e madhe. Kjo tregon që uniteti brenda Bashkimit Europian mund të jetë një instrument shumë efikas në politikëbërje. Për këtë arsye, Varshava në mënyrë konsekuente i mbahet qëndrimit se është më mirë të bëhet më pak, por bashkë, sesa më shumë, por vetëm.

Si e mbështet sot Polonia Ukrainën?
Për Ukrainën ne jemi partner natyral. Kemi kaluar proces të ngjashëm transformimi dhe duam të ndajmë përvojën tonë. Treguesit ekonomikë dhe shoqërorë ukrainas shpesh krahasohen me ata polakë. Në Bashkimin Europian të gjithë e kuptojnë që Polonia ka një rol thelbësor për të luajtur. Fushë e rëndësishme e mbështetjes është reforma e decentralizimit. Qeveria polake dhe presidenti kanë vendosur ta mbështesin menjëherë pas Majdanit. Kemi ngritur grupin e ekspertëve të përbërë nga specialistë nga fusha të ndryshme: duke nisur nga politika fiskale, politika shëndetësore deri te specialistët për katastrofat natyrore. Reforma është e ndërlikuar, jo gjithçka shkon me ritmin që do të dëshironim. Por, kemi kaluar leximin e parë të amendamenteve të Kushtetutës ukrainase.

Ndryshimet e propozuara tashmë i ka vlerësuar pozitivisht Komisioni i Venecias. Aktualisht po vazhdohet procesi i bashkimit të “grumbujve” dmth. njësive administrative të shkallës më të ulët. Nuk përjashtohet që Ukraina do të ndërmarrë veprime të ngjashme gjithashtu në nivelin “rajonal”, do të thotë në nivelin e njësive të shkallës së mesme. Fushë e rëndësishme e mbështetjes është gjithashtu lufta kundër korrupsionit. Drejtimi i dytë kyç i mbështetjes është lufta kundër korrupsionit. Kryeministri Jaceniuk ka deklaruar pak kohë më parë se në këtë fushë, bashkëpunimi me Varshavën është i rëndësishëm për të. Institucionet polake të specializuara në luftën kundër korrupsionit janë në kontakt të vazhdueshëm me homologët ukrainas.

Po me mbështetje ushtarake?
Veprimet e Polonisë nuk e tejkalojnë kuadrin e politikës së NATO-s dhe Bashkimit Europian. Nuk i dërgojmë Ukrainës pajisje vdekjeprurëse, por e furnizojmë me shtroje për fjetje, krevatë, kuzhina mobile, këmisha antiplumb etj. Mbështetje të ngjashme japin gjithashtu edhe vende të tjera të BE-së. Pas ngjarjeve në Majdan, embargoja për importin e armëve në Ukrainë është shfuqizuar, megjithatë aktualisht nuk po e marrim në konsideratë zgjerimin e fushës së ndihmës sonë.

A ndihet Polonia e rrezikuar drejtpërdrejtë nga Rusia?
Nuk ndihemi të rrezikuar drejtpërdrejtë, por kuptohet që jemi të shqetësuar me zhvillimin e situatës. Duke lënë mënjanë rrezikun nga ana e Rusisë, situata në Ukrainë është për ne një sfidë e madhe në aspektin e migrimit. Tanimë një milion persona në Ukrainë e konsiderojnë veten azilantë të brendshëm, ata janë në gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe humanitare. Që prej shumë muajsh Polonia vëren rritjen e numrit të kërkesave për azil të paraqitura nga qytetarët e Ukrainës. Njëfarë përgjigje për këto sfida është politika jonë e vizave. Vitin e kaluar konsullatat polake në Ukrainë kanë lëshuar rreth 900 mijë viza, këtë vit mund të kalojmë shifrën një milion. Gjithashtu, kemi rritur numrin e lejeve për punë të përkohshme. Punësimi në Poloni u lejon shumë personave të mbajnë familjet në Ukrainë, çka me siguri ndihmon zbutjen e pasojave të situatës së vështirë ekonomike.

A e ka dobësuar ekonominë polake konflikti në Ukrainë?
Njësoj si tërë Bashkimi Europian, kemi ndjerë pasojat e sanksioneve dhe reprezaljeve ruse. Sidomos në vjeshtë 2014 kemi vërejtur tendenca negative. Megjithatë, prodhuesit relativisht shpejt kanë arritur të ndryshojnë drejtimet e eksportit, kanë zbuluar tregje krejtësisht të reja. Këtë vit presim një rritje të PKB-së në nivelin 3,5-3,8% dhe uljen e papunësisë deri në vlera njëshifrore. Kjo tregon që ekonomia polake është në gjendje të mirë.

Krijimi i njësive të milicisë qytetare në Poloni mos vjen vallë nga ndjesia e kërcënimit?
Polonia e ka ushtrinë profesionale. Por situata aktuale na detyron të mendojmë si mund ta fuqizojmë atë me formacionet vullnetare të mbështetura në strukturat shoqërore, p.sh. organizatat e skautëve ose ato sportive.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb