TIRANE- Nisur nga fluksi i madh i blerjeve online dhe numri i madh i pakove dhe kolive, Posta Shqiptare ka përuruar sot një zyre të re, në “Komunën e Parisit” pranë shkollës “Kristaq Rama”, e cila do të jetë e dedikuar për shërbimet e kolipostës (koli dhe paketa), si dhe shërbim postar dhe financiar.

Gjatë fjalës së tij në përurimin e zyrës së re, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare tha se “Kjo zyrë e cila do t’i shërbejë një popullate shumë të madhe me dhjetëra dhe mijëra banorë të zonës “ Komuna e Parisit”, nuk do të jetë thjeshtë për ato klientë të Postës Shqiptare që bëjnë blerje online, por do ti shërbejë në tërësi të gjithë popullatës edhe me shërbime të tjera, qofshin këto postare, por edhe financiare”.

Lazimi bëri të ditur se është hapur edhe një zyrë e re postare në zonën e “Unazës së Re”, e cila gjithashtu është një zonë shumë e banuar, dhe nuk ka pasur prezencë të Postës Shqiptare. Ajo zyrë do të jetë universale, siç është edhe zyra aktuale, do të ketë disa shërbime, përfshirë edhe shërbimin e pensionistëve të cilët i përkasin asaj zone, të cilët për momentin pensionin e kanë marrë në zyrën më të afërt postare, e cila është ajo e Kombinatit.

Gjithashtu, dy kioska pensionesh janë zëvëndësuar me ambjente të reja në godina ekzistuese, duke krijuar kështu ambjente më të mëdhaja dhe më të përshtatshme për të shërbyer. Bëhet fjalë për zyrat e pensioneve tek “21 Dhjetori” dhe ajo pranë shkollës “Emin Duraku”.

Drejtori i Postës Shqiptare në fund të fjalës së tij tha se ‘Së shpëjti kemi në plan që të bëjmë edhe rikonstruksion të dhjëtë zyrave në Tiranë, si dhe 40 zyra në të gjithë Shqipërinë. Bëhet fjalë për zyra ku prej vitesh nuk ka pasur rikonstruksione. Fokusi jonë mbi të gjitha është shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve, por edhe një domosdshomëri për punonjësit tanë që të punojnë në kushte më të përshtatshme”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: