Teksa po prezantohet projektligji për buxhetin e vitit 2021, ministrja e Financave, Anila Denaj nga foltorja e Kuvendit tha se vitin që vjen pritet që ekonomia të pësojë një rritje prej 5.5%.

Sipas Denajt, kryefjalë e këtij projektligji është rimëkëmbja ekonomike, duke marrë shkas dhe nga kriza që ka shkaktuar pandemia globale e koronavirusit, por dhe nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës.

Duke theksuar faktin se parashikohet një rritje e qëndrueshme ekonomike në vend, Denaj tha se për shkak të pandemisë u rrit dhe papunësia.

“Kryefjala e këtij projektbuxheti është “Rimëkëmbja Ekonomike”. Kjo në vazhdën e përpjekjeve për të tejkaluar me sukses pasojat negative të dy fatkeqësive natyrore, që goditën vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme. Treguesit negativ të rritjes ekonomike kanë prekur gjithë vendet e botës dhe ne nuk mund të jemi imun ndaj zhvillimeve të pandemisë, teksa i afrohemi fundit të vitit. Ulëm pritshmërinë mbi rritjen ekonomike, e cila në fund të vitit 2020 parashikohet të jetë në nivelin -6.1%, por parashikojmë rritje në terma pozitive në vitin në vijim, që do të ketë një rritje prej 5.5%, duke e rikthyer dukshëm ekonominë shqiptare drejt trendit të rritjes së qëndrueshme”, u shpreh ministrja Denaj.

Sipas ministres, besimi bazohet, jo vetëm në faktin se situata është e menaxhuar mirë dhe fondamentet bazë të ekonomisë janë të qëndrueshëm dhe solid. Të gjitha këto, tha ministrja, ishin dhe në vlerësimin më të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare Moody’s, që konfirmoi ditët e fundit vlerësimin B1 dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Ky buxhet do të mbështesë sektorët prioritarë dhe më të ndjeshëm në anën sociale si: shëndetësi, arsim, bujqësi, rindërtim dhe infrastrukturë.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb