Ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, sot para Parlamentit ka prezantuar një plan të detajuar për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar rëndësinë e ndryshimeve në buxhet dhe mbështetjen për sektorët strategjikë.

Në fjalën e saj para deputetëve, Ministrja Ibrahimaj shpjegoi se akti normativ për ndryshimet në Buxhetin e vitit 2024, nuk është vetëm një instrument buxhetor, por një shenjë e qartë e përkushtimit të qeverisë për të përmirësuar klimën ekonomike dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm.

Lidhur me rishikimet e bëra në buxhet, ministrja tha se ato fokusohen kryesisht në fuqizimin dhe forcimin e kapitalit njerëzor, si dhe në garantimin e buxhetit për sektorët kyç të zhvillimit ekonomik.

Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe krijimit të një infrastrukture cilësore turistike. Për këtë qëllim, akti normativ konfirmon krijimin e një Task-Force të specializuar për monitorimin e cilësisë së infrastrukturës turistike, duke siguruar një përvojë cilësore për turistët që vizitojnë Shqipërinë.

Në lidhje me investimet në infrastrukturë, ministrja u ndal tek alokimi i buxhetit për Portin Tregtar të Durrësit, si një projekt strategjik që do të ndihmojë në përmirësimin e lidhjeve tregtare ndërkombëtare dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së vendit.

“Buxheti që alokohet për Portin Tregtar të Durrësit është një buxhet me rëndësi strategjike për vendin tonë, pasi është një projekt madhor që do t’i garantojë Shqipërisë që do të jetë porta hyrëse kryesore në vendet e Ballkanit perëndimor, por edhe më gjerë, në të gjithë vendet e Evropës Lindore. Në bashkëpunim me të gjithë projektet madhore infrastrukturore që Shqipëria ka ndërmarrë gjatë viteve të fundit, ky port do të ndërlidhë më mirë dhe do të sigurojë që transporti të jetë më lehtësuar dhe më i shpejtë, dhe të kryhet nëpërmjet vendit tonë, duke ndikuar drejtpërdrejt në bilancet tregtare të vendit”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Përveç kësaj, ajo theksoi edhe rëndësinë e investimeve në arsimin profesional dhe mbështetjen e sipërmarrjes, duke evidentuar rritjen e eksporteve dhe forcimin e kursit të këmbimit, duke përmirësuar kështu klimën për biznesin në vend.

Një nga pikat kyçe të prezantimit ishte edhe mbështetja për Ministrinë e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, me synimin për të forcuar kapacitetet inovative të vendit.

Ministrja Ibrahimaj u ndal edhe tek sfidat me të cilat po përballet sektori i industrisë fasone, si pasojë e luhatjeve që pësoi kursi i kembimit me rënien e shpejtë të euros dhe forcimit të lekut.

“Për sektorin fason që nuk importon lëndë të para, por merr materiale porositëse dhe vetëm i përpunon në vend, kostot janë rritur, të ndikuar si nga rritja e kursit të këmbimit, por edhe nga rritja e kostove të punës për shkak të zhvillimeve të tjera ekonomike të vendit. Pas një konsultimi të gjerë dhe të vazhdueshëm me sektorin fason, menjëherë që në vitin e kaluar, ku euro filloi të bjerë në mënyrë të shpejtë dhe të forcohej leku, morëm masën e parë, ku shtymë të gjitha këstet e parapagimit të tatim-fitimit në dorëzim të bilanceve, me qëllim që të mos ngarkonim me taksa këtë sektor. Masa e dytë është kjo që është përfshirë sot në aktin normativ, që sektori fason të ketë mundësi dhe akses në financim me kosto të ulët, duke u bërë shteti garantor i investimeve të tyre, me qëllim se ky sektor të modernizohet, të kthehen në një strategji që është prej vitesh duke u punuar, për kthimin e sektorit fason në një sektor prodhimi, ku cikli i prodhimit të jetë i mbyllur”, theksoi Ibrahimaj.

Sipas ministres, në këtë rast qeveria do të garantojë investimet dhe një pjesë të kapitalit qarkullues që këtyre fasonëve do t’u duhet për blerjen e lëndëve të para.

“Kjo është strategjia që ne kemi, ajo për të mbështetur dhe rritur produktivitetin e biznesit dhe besoj fort që nëpërmjet kësaj nisme, sektori do të modernizohet dhe rrisë performcën e vet dhe produktet “Made in Albania”, do të rrisin eksportet e tyre në vendet e Bashkimit Evropian”, përfundoi ministrja Ibrahimaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: