Kosova dhe Austria ndanë nga një pikë në “Fadil Vokrri”, në një ndeshje të luftuar që përfundoi 1-1 duke lënë gjithçka të hapur në grup.
“Dardanët” patën rastet e tyre që në pjesën e parë, me Hoxhën dhe Muriqin që provuan të rrezikonin portën austriake, ndërsa Shaipi u tregua vendimtar në një moment përballë Grigoriçit.
Pas pushimit, Kosova rriti ritmin dhe zëvendësimet e Asllanit e Rashicës i dhanë më shumë gjallëri sulmit. Në minutën e 70-të, Zhegrova pas një aksioni spektakolar depërtoi bukur nga e djathta asistoi për Asllanin, i cili nuk hezitoi dhe e dërgoi topin në rrjetë për avantazhin e Kosovës.
Megjithatë, epërsia zgjati vetëm 14 minuta. Lang barazoi për Austrinë në minutën e 84-t dhe i dha fund shpresave të Kosovës për një fitore në shtëpi. Një ndeshje shumë e mire e “Dardanëve”, ndaj një kundërshtari tepër të forte si Austria.
Pas barazimit të dytë radhazi 1-1, këtë herë pas atij ndaj Izraelit, Kosova mbetet në vendin e dytë me 5 pikë, ndërsa Austria kryeson grupin me 8 pikë.
Trajneri i Kosovës, Franko Foda, ishte i lumtur edhe pse ekipi i tij u ndal në barazim 1-1 ndaj Austrisë duke humbur shansin për t’iu bashkuar në kreun e renditjes.
“Lojë definitivisht e mirë, e madhe. Atë që kërkova nga lojtarët e treguan në fushë. Jam shumë i kënaqur me ekipin, secilin prej tyre. Pas 1-0 e kishim rastin për të shënuar edhe golin e dytë. Ajo që pritëm një fitore të madhe, nuk ndodhi, por ky është futbolli. Lojtarët janë paksa të mërzitur. Por ta shohim kështu: para dy viteve do të ishim të lumtur me një barazim, ndërsa sonte janë të mërzitur”, theksoi tekniku gjerman i Kosovës.
