NGA OLA MITRE

TIRANE– Universiteti i Mjekësisë dhe ai i Sporteve të Tiranës kanë miratuar nivelin e gjuhëve të huaja, që duhet të përmbushin kandidatët për të hyrë në programin e ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve. Përmes një vendimi të Senatit Akademik, Mjekësia ka miratuar si kriter të pranimit të hyrjes së studentëve në programet e studimit të ciklit të dytë, ku përfshihen edhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, nivelin B2 të gjuhëve të huaja, sipas një tabele të mirëpërcaktuar, që “Gazeta Shqiptare” e publikon të plotë bashkëngjitur shkrimit. Sipas kësaj tabele, për gjuhën angleze do të njihen testet e Cambridge, IELTS, TOEFL Internet – based Test, TOEIC, GESE dhe APTIS. Për gjuhën gjermane do të njihen testet Goethe-Institut dhe TestDaF, ndërsa për francezen TFI, DELF, TCF dhe TEF.

Ndërkaq, studentët e ciklit të dytë të studimeve mund të pranohen edhe me gjuhën italiane përmes testeve: Peruggia dhe Sienna dhe me gjuhën spanjolle përmes testit DELE. Ndërkaq, vendimi i Senatit Akademik përfshin edhe studentët aktualë të masterit dhe doktoraturës. Sipas tij: Studentët e regjistruar në ciklin e dytë apo të tretë të studimeve në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, të cilët nuk i janë nënshtruar testimit të gjuhës angleze si dhe nuk kanë paraqitur dokumentacionin, duhet të kryejnë testimin sipas këtij vendimi.

SPORTET
Ashtu sikurse në Universitetin e Mjekësisë, edhe te Sportet, kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programe të ciklit të dytë apo të tretë në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit duhet të kenë njohuri të dëshmuar të njërës prej gjuhëve të huaja, përkatësisht gjuhës angleze, frënge, gjermane, italiane dhe spanjolle, sipas tabelës që e gjeni bashkëngjitur shkrimit. Sipas vendimit, këta kandidatë duhet të kenë certifikime dhe rezultate të testimeve ndërkombëtare për nivelet e njohjes së gjuhëve të huaja, të cilat i përkasin një periudhe jo më vonë se 2 vjet nga momenti i lëshimit të tyre. Kështu, sipas vendimit të Këshillit të Fakultetit, për pranimin në programet e studimit të ciklit të dytë duhet të kenë njohje të gjuhës së huaj të nivelit B1, ndërsa për ciklin e tretë, të nivelit C1. Ata studentë, që janë të regjistruar tashmë, por që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin, do të ndjekin procedurat sipas këtij vendimi.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: