Lidhja e tre të arrestuarve Alfred Qefalinë, Kristi Pine dhe Armando Gorezin me vrasjet e kohëve të fundit në vend, ka ardhur pasi njëri prej tyre ka pranuar të bashkëpunojë duke rrëfyer gjithçka.

Dy prokurorë të Krimeve të Rënda kanë marrë në pyetje tre të arrestuarit që nga pasditja e së hënës. Dëshmitë e dhëna nga njëri prej të arrestuarve bënë që një material referees të dërgohej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shkruan ‘Panorama’.
Policia dhe Prokuroria janë treguar të rezervuara, duke mos dhënë asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me të arrestuarit.

I pari që u vu në pranga nga Policia e Tiranës ishte Alfred Qefalia, një 32­ vjeçar nga Farka, që rezultonte edhe person në kërkim. Qefalia u kap mbrëmjen e datës 11 shkurt, në një lokal në zonën e Babrrusë, ku me vete iu gjet edhe një armë zjarri, pistoletë tip “Zastava”.

Policia tha se Qefalia u arrestua nga forcat speciale, gjatë një plani masash që u mor pas shpërthimeve që ndodhën në farmacinë e Bashkim Tahirit dhe në shtëpinë e zyrtarit të Policisë, Alfred Nomani.
Ditën e diel, më 14 shkurt, forcat operacionale arrestuan një tjetër person, Armando Gorezin, 40 vjeç, në afërsi të Rrugës së Elbasanit. Policia tha zyrtarisht se Gorezi ishte arrestuar për llogari të Policisë italiane, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e një shqiptari në Torino.
Ndërsa ishte person në hetim edhe për shfrytëzim prostitucioni. Në të njëjtën ditë, në mbrëmje, në afërsi të Unazës së Re, pranë rrethrrotullimit të Doganës, u arrestua edhe personi i tretë. Ai është Kristi Pina, i cili u kap teksa po udhëtonte me makinë, në shoqërinë e dy vajzave dhe me vete iu
gjet një armë pa leje.

AKUZAT E REJA
Sipas burimeve nga grupi hetimor, tre të arrestuarit dyshohet të jenë vrasës me pagesë dhe deri tani janë siguruar prova për tri ngjarje, ku ata dyshohet se janë përfshirë.
Deri mbrëmë, ata kishin refuzuar akuzat e ngritura ndaj tyre, ndërsa në orët e vona njëri prej të arrestuarve ka pranuar të bashkëpunojë me Policinë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb