Mjeku dhe përfaqësuesi i PD, Ilir Alimehmeti, i ftuar në studion e “News24”, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi largimin e papritur të ministres së Shëndetësisë Evis Sala pas vetëm një viti në detyrë, duke zbuluar prapaskenat e një projektligji që sipas tij synon privatizimin e kontrollit mbi tregun farmaceutik dhe tenderat publikë të shëndetësisë.

Alimehmeti denoncoi ekzistencën e një drafti ligjor të përgatitur nga ekzekutivi, i cili parashikon kalimin e të gjithë tregut farmaceutik, tenderave dhe blerjeve publike në duart e një shoqërie me aksione (SHA), duke shmangur kontrollin institucional e parlamentar.

“Kemi informacion për një projektligj ku gjithë tregun farmaceutik, tenderat etj., Rama do t’ia japë një shoqërie, një lloj SHA. Praktikisht ky draft kapërcen shtetin; është si shoqëria ‘KAYO’ për armatimet, por kjo është për shëndetësinë. Nuk do të kontrollohet më nga shteti. Shteti ka tre elemente kyç: shëndetësi, arsim dhe siguri. Na ka ngelur edhe një SHA për arsimin dhe shteti përfundon së qeni shtet. Ky projekt është anti-shtet dhe anti-shëndet!” deklaroi Alimehmeti.

Sipas Alimehmetit, largimi i ministres pas vetëm një viti, edhe pse në mbledhjen e qeverisë në Pogradec u deklarua se nuk do të kishte ndryshime kabineti, lidhet drejtpërdrejt me refuzimin e saj për të vendosur firmën mbi këtë nismë ligjore.

“Diskutohet prej shumë javësh se ajo nuk ka qenë dakord dhe ka pasur kundërshtime për këtë ligj, ndaj si duket nuk pranoi ta firmoste. Nëse është kështu, zonjës i shkojnë meritat për të mos bërë pis figurën e saj, por ka nevojë të mbajë përgjegjësi e të flasë publikisht. Ndaj këto pozicione zakonisht i mbajnë persona politikë e jo figura të panjohura,” nënvizoi ai.

Ai përfundoi duke theksuar se vëmendja tashmë zhvendoset te ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, për të parë nëse ky projektligj do të shtyhet përpara apo do të ndalet, ndërsa kërkoi transparencë se kush do të advokojë për interesat e qytetarëve përballë një strukture pa kontroll shtetëror.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb